Bashkëshorti i aktivistes që prej vitesh kërkon fatin e të zhdukurve të luftës është në gjendje të rëndë, dhe familja duhet të gjejë vetë gjakun që i kërkon spitali. Raportohet se QKUK-ja është pa doza rezervë.

Në spitalin më të madh të Kosovës, familja e një pacienti në gjendje të rëndë po u drejtohet qytetarëve për gjak. Pacienti është bashkëshorti i Nestrete Kumnovës, aktivistes nga Gjakova që ka kaluar vite duke kërkuar zbardhjen e fatit të të zhdukurve të luftës.
Familjarët kërkojnë urgjentisht doza gjaku, të çfarëdo grupi, pasi Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) në Prishtinë u ka kërkuar t'i kompensojnë dozat e nevojshme. Raportohet se në QKUK tani mungojnë edhe dozat rezervë të gjakut.
Apeli u bë publik nga një nip i aktivistes, në një postim ku shkruante: "Urgjent! Po më duhet gjak çfarëdo lloji, po ma kërkojnë në kompensim spitali Prishtinë. Tezja ime Nysrete Kumnova që u kujdes aq shumë për të zhdukurit e luftës, sot burri i saj ka nevojë për gjak me urgjencë… nëse keni mundësi na ndihmoni".
Kumnova, aktiviste dhe humaniste, drejton shoqatën "Thirrjet e Nënave" në Gjakovë. Ajo njihet për angazhimin e saj në çështjen e personave të zhdukur gjatë Luftës së Kosovës dhe është një nga zërat më të fuqishëm që kërkojnë të zbardhet fati i mijëra shqiptarëve të zhdukur.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

