Një 20-vjeçar nga Reçica e Madhe dyshohet se për vite me radhë ka drejtuar një treg online ku blereshin e shiteshin të dhëna personale të vjedhura dhe mjete për sulme kibernetike. Ndaj tij është ngritur kallëzim penal për tri vepra, përfshirë pornografinë e fëmijëve.

Mbi 1.500 kredenciale të vjedhura për qasje në llogari përdoruesish dhe në rrjete kompjuterike ishin nxjerrë në shitje në „OLVX”, një treg ilegal online që, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), administrohej nga një i ri 20-vjeçar nga fshati Reçicë e Madhe.
Platforma është zbuluar në një operacion të përbashkët të MPB-së me Byronë Federale të Hetimit (FBI) të Shteteve të Bashkuara. Sipas ministrisë, aksioni nisi pas informacioneve fillestare që erdhën nga FBI-ja, të cilat u kthyen më pas në një hetim të përbashkët dhe të koordinuar. Ky është operacioni i parë i këtij lloji ndërmjet dy institucioneve në fushën e krimit kibernetik.
Sektori për Krim Kompjuterik dhe Forenzikë Digjitale pranë MPB-së ka ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Tetovë kundër të riut, nën dyshimin për tri vepra penale: „mashtrim kompjuterik”, „keqpërdorim i të dhënave personale” dhe „prodhim dhe shpërndarje e pornografisë së fëmijëve”.
Sipas provave të siguruara nga hetuesit, në periudhën 2023-2025 i dyshuari ka administruar domene dhe faqe interneti të lidhura me „OLVX”. Platforma funksiononte si treg i zi për të dhëna të vjedhura, mjete softuerike dhe shërbime të destinuara për krime kibernetike. Klientët ishin kryesisht persona të përfshirë vetë në krimin kibernetik, të cilët tregtonin të dhëna personale dhe kredenciale qasjeje të viktimave.
Hetimi nuk ndalet te „OLVX”. Autoritetet pretendojnë se gjatë periudhës 2025-2026 i njëjti person ka administruar edhe një grup ilegal në aplikacionin Telegram me emrin „ONEMILI”. Përmes tij, sipas MPB-së, ofroheshin shërbime dhe mjete softuerike për krime kompjuterike, përfshirë mashtrime që lidhen me kthimin e paligjshëm të mjeteve financiare.
Pika më e rëndë e kallëzimit lidhet po me Telegramin: sipas autoriteteve, janë siguruar prova se i dyshuari ka siguruar dhe poseduar për përdorim personal materiale që përmbajnë keqpërdorim seksual të fëmijëve.
Të gjitha akuzat mbeten pretendime të policisë, ndërsa vendimin për ndjekjen e mëtejshme të rastit e merr prokuroria në Tetovë. MPB-ja ka bërë të ditur se, përmes sektorit të saj për krimin kompjuterik, do të vazhdojë punën për parandalimin dhe luftimin e krimit kibernetik, mbrojtjen e të dhënave personale dhe sigurinë e qytetarëve në hapësirën digjitale, duke e cilësuar bashkëpunimin me FBI-në si dëshmi të rëndësisë së koordinimit ndërkombëtar.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

