Ambasadori rus në Kopenhagë dorëzoi një notë formale duke fajësuar "manovrat e rrezikshme" të helikopterit danez, ndërsa ministri i Mbrojtjes në Kopenhagë thotë se një raketë sinjalizuese kaloi vetëm "çështje metrash" nga mjeti ajror. Danimarka nuk do t'i drejtohet nenit 5 të NATO-s.

Nga një incident në ujërat ndërkombëtare pranë brigjeve daneze, Rusia dhe Danimarka kaluan të martën në një përplasje të hapur diplomatike, me fajësime të kundërta për atë që pak metra e ndanin nga një katastrofë ajrore.
Ambasadori i Moskës në Kopenhagë, Vladimir Barbin, deklaroi të martën se përgjegjësinë për ngjarjen në Detin Baltik e kishin "manovrat e rrezikshme" të mjetit ajror danez. Ai i tha agjencisë ruse shtetërore të lajmeve RIA Novosti se kishte dorëzuar një notë formale, në të cilën kërkohen masa për të parandaluar përsëritjen e episodit. Sipas Barbinit, veprimet e helikopterit ishin provokuese dhe përpjekjet daneze për t'i quajtur rutinë ngjallin "shqetësim serioz për pasojat e mundshme të një pakujdesie të tillë". Moska e paralajmëroi Danimarkën të shmangë veprimet e pamatura.
Versioni danez është i kundërt. Komanda e Mbrojtjes e Danimarkës tha se helikopteri i tipit Fennec ishte në një mision rutinë për të fotografuar fregatën, ndërsa kjo e fundit lundronte në ujëra ndërkombëtare pranë Danimarkës. Anijet zakonisht i përdorin raketat e tilla sinjalizuese si sinjal paralajmërues.
Ministri danez i Mbrojtjes, Jeppe Bruus, i tha TV 2 News se një prej dy raketave sinjalizuese kaloi brenda një "çështjeje metrash" nga mjeti ajror, duke akuzuar Rusinë për "marinari thellësisht joprofesionale". I pyetur nëse Danimarka do të kërkonte konsultime sipas nenit 5 të NATO-s, masës që trajton një atak ndaj një anëtari si atak ndaj të gjithëve, Bruus u përgjigj se incidenti po merrej seriozisht, por "ne nuk jemi atje". Kopenhaga ka bërë të ditur se nuk do t'i referohet traktatit të NATO-s.
Barbin u shpreh se edhe vitin e kaluar ishte ankuar për atë që ai e quajti fluturime të rrezikshme pranë dhe qëndrim në ajër në lartësi të ulët të një helikopteri danez mbi anijen luftarake ruse "Vice-Admiral Kulakov". Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, refuzoi të komentojë, duke thënë se i mungonin detajet.
Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, e cilësoi incidentin serioz, por jo për të habitur, duke e përshkruar si pjesë të një modeli të luftës hibride ruse në intensifikim kundër Evropës dhe të testimit të NATO-s. "Rusia dëshiron të mbjellë frikë dhe përçarje", thotë Frederiksen, e cila bëri thirrje për unitet më të ngushtë dhe mbrojtje më të forta për Danimarkën dhe Evropën. Rusia mohon se kryen atakime hibride në Evropë.
Vetëm më vonë të martën, një zëdhënëse e Ministrisë ruse të Jashtme paralajmëroi politikanët dhe diplomatët perëndimorë t'i vlerësojnë "me gjakftohtësi" rreziqet e udhëtimit në Ukrainë. Paralajmërimi erdhi pas një sulmi rus me dron mbi një linjë hekurudhore, nëpër të cilën pak minuta më parë kishte kaluar një tren që transportonte ish-kryeministrin britanik Boris Johnson dhe ish-kryeministrin suedez Carl Bildt. Sipas zëdhënëses, nyjat hekurudhore dhe infrastruktura e transportit që i shërben ushtrisë ukrainase janë objektiva legjitime. Në maj, Rusia i kishte paralajmëruar diplomatët e huaj të largohen nga Kievi për shkak të sulmeve ndaj kompleksit ushtarako-industrial të Ukrainës.
Ngushticat Daneze, ku ka ndodhur pjesa më e madhe e incidenteve danezo-ruse, janë porta kryesore e transportit detar në Baltik dhe një rrugë kyçe e naftës, përfshirë për tankerët rusë. Mbi këtë sfond, potenciali që lufta në Ukrainë të eskalojë dhe të ngatërrojë vendet anëtare evropiane të NATO-s po rritet.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

