Një grua 27-vjeçare humbi ndjenjat gjatë një trajtimi me serum kundër plakjes dhe nuk mundi të shpëtohej. Tani themeluesi i qendrës së mirëqenies në Bronks, i cili sipas policisë nuk kishte licencë mjekësore në SHBA, përballet me akuzë për vrasje.

Ajo që u reklamua si trajtim kundër plakjes përfundoi në urgjencë, me një grua 27-vjeçare që nuk u kthye më në jetë. Muaj më vonë, rasti ka marrë drejtimin më të rëndë të mundshëm: Luis Rojas, themelues i një qendre mirëqenieje në Bronks të Nju Jorkut, tashmë përballet me akuzë për vrasje me "indiferencë të shthurur" (depraved indifference), formulim ligjor që i jep emrin akuzës së re.
Rojas, i cili e paraqet veten si mjek holistik që ofron mjekësi alternative, ishte akuzuar më herët për rrezikim të pamatur dhe për ushtrim të paautorizuar të një profesioni, në lidhje me vdekjen e gruas në korrik. Këtë javë akuzat u rënduan dhe tani përfshijnë edhe vrasjen.
Sipas burimeve nga organet e rendit, gruaja po merrte një injeksion me një lloj serumi, si pjesë e një trajtimi kundër plakjes, kur diçka shkoi keq. Ajo humbi ndjenjat dhe u dërgua në urgjencë, por mjekët nuk arritën ta shpëtonin. Policia pretendon se pikërisht injeksioni i shkaktoi vdekjen. Në kohën e vdekjes nuk ishte e qartë nëse gruaja vuante nga ndonjë sëmundje e mëparshme.
Rojas punonte në qendrën Bereshit Lifestyle Center, përgjatë rrugës Riverdale Avenue. Faqja e tij në internet ofron një gamë të gjerë shërbimesh, por nuk përmend se ai nuk ka licencë për të ushtruar mjekësinë në Shtetet e Bashkuara. Sipas policisë, Rojas kishte licencë mjekësore në Republikën Dominikane, jo në SHBA. Në faqen e tij thuhet se është i certifikuar si asistent mjekësor në mjekësinë alternative.
Garancia për lirimin e tij është caktuar në 2 milionë dollarë. Nuk dihet ende nëse Rojas ka avokat. Akuzat ndaj tij mbeten të paprovuara derisa të shprehet gjykata.
Gurë kalldrëmi të shkulur nga Parku Rinia, gaz lotsjellës dhe mbi 100 të arrestuar: protestat kundër qeverisë në Shqipëri hynë në ditën e shtatë pa asnjë shenjë qetësimi. Kryeministri Rama i quan pjesë të një sulmi të koordinuar, ndërsa protestuesit fajësojnë policinë për dhunën.

