Pronat komunale të Mitrovicës, të dhëna në shfrytëzim deri në 99 vjet, në disa raste kanë mbetur pa asnjë investim edhe pas dhjetë vjetësh. Kryetari Faton Peci ka nisur procedurën për shkëputjen e 27 kontratave.

Njëzet e shtatë kontrata për pronat e Komunës së Mitrovicës janë vënë në procedurë shkëputjeje. Vendimin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës, Faton Peci, i cili thotë se disa nga përfituesit e këtyre pronave nuk kanë investuar asgjë, edhe pse kanë kaluar vite nga marrja e tyre në shfrytëzim.
Sipas Pecit, kontratat janë lidhur për periudha deri në 99 vjet. Ai pohon se një pjesë e tyre ka tejkaluar çdo afat të paraparë për realizimin e investimeve, ndërsa në disa raste, deri në dhjetë vjet, nuk është investuar asnjë mjet në pronat publike të marra në përdorim.
Kryetari e ka shoqëruar njoftimin me një mesazh me nënkuptim politik. "Prona e Komunës nuk është për anëtarë të partisë, por për interesin e ekonomisë", ka shkruar Peci. Ai ka shtuar se "të gjitha pronat publike do të jenë në dispozicion për të gjithë, pa dallime e favorizime".
Peci nuk ka dhënë hollësi se për cilat prona bëhet fjalë, kush janë përfituesit e kontratave apo kur janë lidhur ato.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

