Një grindje për një borxh të vjetër ka përfunduar me një 37-vjeçare të dërguar në trajtim mjekësor me frakturë në hundë në Mitrovicë të Jugut. Dy meshkuj, partneri i saj dhe vëllai i tij, janë dërguar në mbajtje me rekomandim të prokurorit kujdestar.

Tetë vite bashkëjetese kanë përfunduar me një denoncim për dhunë dhe me dy persona në mbajtje. Në rrugën "Adem Voca" në Mitrovicë të Jugut, mbrëmjen e 21 shtatorit, një 37-vjeçare ka denoncuar se është sulmuar fizikisht nga partneri i saj dhe nga vëllai i tij.
Sipas denoncimit të viktimës, e identifikuar me inicialet V. R., gjithçka ka nisur nga një mosmarrëveshje për një borxh të vjetër. Ajo ka deklaruar se fillimisht është goditur nga partneri, O. B., 44 vjeç, me të cilin është në lidhje dhe bashkëjeton prej rreth tetë vitesh, ndërsa në sulm dyshohet se është përfshirë edhe vëllai i tij, S. B., 50 vjeç.
Si pasojë e goditjeve, 37-vjeçarja ka pësuar frakturë në hundë dhe është dërguar për trajtim mjekësor.
Për rastin është njoftuar prokurori kujdestar, me rekomandimin e të cilit të dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje. Rasti është iniciuar si "Lëndim i rëndë trupor", ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vazhdojnë.
Të dyshuarit prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

