Avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Luka Mishetiq, thotë se trupi gjykues i Gjykatës Speciale ka nxjerrë përfundime "të rrezikshme", duke e lidhur synimin e pavarësisë së Kosovës me krime lufte, një hap që, sipas tij, as Prokuroria nuk e kishte ndërmarrë.

Një fjali e aktgjykimit të Gjykatës Speciale është kthyer në qendër të debatit publik: sipas avokatit Luka Mishetiq, mbrojtës i ish-presidentit Hashim Thaçi, trupi gjykues ka vendosur se një pjesë e qëllimit kriminal të të akuzuarve ishte vetë arritja e pavarësisë së Kosovës, përmes krimeve të luftës.
Mishetiq reagoi më 19 shtator 2026 në rrjetin social X, në një replikë ndaj analistit për Ballkanin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, Marko Prelec. Ai ngriti alarmin se verdikti çon në përfundime "të rrezikshme".
"Trupi Gjykues ka vlerësuar se një pjesë e qëllimit kriminal të anëtarëve të Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale (JCE) dhe ‘të tjerëve në udhëheqjen e UÇK-së’ ishte arritja e pavarësisë së Kosovës përmes krimeve të luftës. Madje, as Prokuroria nuk kishte shkuar deri në këtë pikë.
Prandaj, Prelec ka pjesërisht të drejtë se gjykata nuk e shpalli të paligjshme të drejtën e Kosovës për pavarësi (pasi nuk kishte juridiksion për ta bërë këtë), por ajo deklaroi se mjetet e përdorura për arritjen e pavarësisë së Kosovës ishin, në një masë të konsiderueshme, kriminale", shkroi Mishetiq.
Thelbi i argumentit të tij qëndron te dallimi mes të drejtës dhe mjeteve: gjykata, sipas avokatit, nuk e cilësoi të paligjshme të drejtën e Kosovës për pavarësi, sepse nuk kishte juridiksion për një gjë të tillë, por i cilësoi kryesisht kriminale mjetet me të cilat ajo u arrit. Për Mishetiqin, ky konstatim shkon përtej asaj që kishte pretenduar vetë Prokuroria e Gjykatës Speciale.
Formulimi që ai citon nga aktgjykimi nuk kufizohet vetëm te anëtarët e Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale, por përfshin edhe "të tjerët në udhëheqjen e UÇK-së", çka e zgjeron rrethin e personave të përmendur në arsyetimin e trupit gjykues.
Kjo është një nga disa daljet publike të avokatit të Thaçit pas aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, në një debat që po zhvillohet kryesisht jashtë sallës së gjyqit.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

