Doganat malazeze thonë se në njërën nga ngarkesat deklaratat me afatin e skaduar ishin zëvendësuar me të reja. Kompania kosovare Apetit fajëson vonesat në det, ndërsa AUV ka nisur kontrolle në depot e saj.

Afro 103 tonë mish viçi me origjinë nga Brazili, me afat përdorimi të skaduar, kanë mbetur të bllokuara në Portin e Tivarit. Autoritetet e Malit të Zi ndaluan tranzitin e tyre në dy raste të veçanta brenda dhjetë ditësh. Sipas autoriteteve malazeze, ngarkesat ishin destinuar për kompaninë kosovare Apetit.
Kapja e parë ndodhi më 15 shtator. Në port u ndaluan tre kontejnerë me mish viçi të skaduar, me peshë totale prej 77.841 kilogramësh. Drejtoria e Doganave e Malit të Zi bëri të ditur se gjatë kontrollit ishte konstatuar diçka më shumë se një afat i tejkaluar: deklaratat origjinale, ku shënohej afati i skaduar i përdorimit, ishin hequr dhe në vend të tyre ishin vendosur deklarata të reja me një afat tjetër.
Rasti i dytë u regjistrua të enjten. Në të njëjtin port u ndalua edhe një kontejner me 1.321 paketime mish viçi të ngrirë, me peshë bruto prej 24.650 kilogramësh. Sipas autoriteteve malazeze, afati i përdorimit të këtij malli kishte skaduar më 14 maj 2026. Me dy ndalimet, sasia e mishit të bllokuar arrin në 102.491 kilogramë.
Doganat malazeze thonë se parregullsi të lidhura me të njëjtën kompani janë evidentuar edhe në Portin e Durrësit, pa u bërë të ditur hollësi për natyrën e tyre. Për rastet është njoftuar Organizata Botërore e Doganave, ndërsa mishi i tre kontejnerëve të parë pritet të asgjësohet pasi të përfundojnë procedurat ligjore.
Kompania Apetit e shpjegon ndryshe situatën. Sipas saj, mishi është prodhuar në shkurt të vitit 2026 dhe ka pasur afat përdorimi prej 120 ditësh. Ngarkesat ishte planifikuar të mbërrinin në destinacion brenda 45 deri në 50 ditësh, por transporti u vonua nga problemet në transportin detar dhe nga vonesat në portet e tranzitit. Kompania pohon se malli ka qëndruar në magazina doganore në Mal të Zi dhe se asnjë kilogram nuk është importuar, zhdoganuar, shitur apo shpërndarë në Kosovë apo në vendet e tjera të rajonit.
Apetiti, megjithatë, nuk është shprehur për pretendimin më të rëndë të autoriteteve malazeze, atë për heqjen e etiketave origjinale dhe vendosjen e etiketave të reja me afat të ndryshuar.
Në Kosovë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka bërë të ditur se është në kontakt me autoritetet malazeze dhe pret informatat e plota zyrtare. Që nga 18 shtatori, AUV ka nisur kontrolle të detajuara ndaj kompanisë, duke verifikuar dokumentacionin e importit, origjinën e mallit, afatet e përdorimit si dhe sasitë e importuara e të shpërndara. Janë marrë mostra për analiza dhe janë shtuar kontrollet në pikat kufitare dhe në depot e kompanisë.
Agjencia paralajmëroi se, në varësi të rezultateve, do të ndërmarrë masa ligjore, përfshirë ndalimin e qarkullimit dhe tërheqjen nga tregu të produkteve që nuk i plotësojnë kriteret e sigurisë ushqimore.
Ndërkohë, as ministri i Bujqësisë, Armend Muja, as Ministria e Bujqësisë nuk kanë dhënë ndonjë sqarim publik për rastin. Muja ka qenë i zëshëm në raste të tjera që lidhen me sigurinë ushqimore, përfshirë ato me produktet e qumështit.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

