Avokati i Hashim Thaçit, Luka Misetic, publikon një video të Aleksandar Vuçiqit dhe pyet pse një “lider evropian dhe botëror” paska folur për “një dënim të rëndë” ndaj Thaçit përpara se aktgjykimi të shpallej.

Një video e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, është kthyer në armën e re të mbrojtjes së Hashim Thaçit. Avokati i tij, Luka Misetic, e ka publikuar atë dhe ka ngritur një pyetje të drejtpërdrejtë: si mund ta dinte presidenti francez, Emmanuel Macron, rezultatin e aktgjykimit të paktën gjashtë ditë para se ai të shpallej?
Në qendër të çështjes është takimi Vuçiq-Macron i 10 shtatorit në Paris. Sipas Misetic, në videon e publikuar Vuçiq tregon se gjatë atij takimi një “lider evropian dhe botëror” i kishte thënë se Thaçi do të merrte “një dënim të rëndë”.
Vuçiq, sipas pjesëve të cituara, nuk e përmend me emër bashkëbiseduesin. Është Misetic ai që e identifikon këtë “lider” me Macronin, duke shtuar në kllapa në postimin e tij “[lexo: Macron]”.
“Presidenti serb Vuçiq u takua me presidentin francez Macron më 10 shtator në Paris, ku, sipas Vuçiqit në videon e mëposhtme, atij iu tha nga një ‘lider evropian dhe botëror’ [lexo: Macron] se Thaçi do të merrte ‘një dënim të rëndë’. Se si Macron e dinte rezultatin e aktgjykimit të paktën gjashtë ditë përpara dhe pse Macron po fliste me Vuçiqin për këtë çështje, janë pyetje që mbeten për t’u përgjigjur”, ka shkruar Misetic.
Avokati ngre kështu dy pikëpyetje: e para, nga kishte informacion presidenti francez për përmbajtjen e një vendimi ende të pashpallur; e dyta, përse dënimi i Thaçit do të ishte temë bisede mes Macronit dhe presidentit serb. Sipas Misetic, këto janë pyetje që kërkojnë përgjigje.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

