Në ditën e gjashtë të protestës kundër qeverisë, protestuesit i vunë zjarrin Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe plumba gome, ndërsa turma u tërhoq drejt Sheshit Skënderbej.

Flakët përfshinë Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë në Tiranë, pasi protestuesit i vunë zjarrin godinës në ditën e gjashtë të protestës kundër qeverisë. Zjarrfikëset mbërritën në vend dhe po punojnë për të shuar flakët.
Policia reagoi menjëherë pas zjarrit. Efektivët hodhën gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën dhe përdorën edhe plumba gome. Nën presionin e tyre, protestuesit u tërhoqën drejt Sheshit Skënderbej, ndërsa ende nuk dihet nëse ka të lënduar, të arrestuar apo sa janë dëmet në godinë.
Dikasteri i përfshirë nga zjarri është drejtuar nga Belinda Balluku, ish-ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila përballet me një sërë akuzash të rënda për korrupsion. Si çdo i akuzuar, Balluku gëzon prezumimin e pafajësisë deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.
Zjarri erdhi pas një dite me përplasje të ashpra në qendër të kryeqytetit. Protestuesit hodhën fishekzjarre dhe molotovë drejt efektivëve. Ata nuk e braktisën terrenin: largoheshin për pak kohë dhe riktheheshin pranë kordonëve të policisë për t'i qëlluar sërish.
Gjatë gjithë ditës pati përballje frontale mes protestuesve dhe efektivëve, në një Tiranë që për të gjashtën ditë radhazi është shndërruar në skenë kaosi.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

