Disa nga minatorët e ngujuar në minierën e Stantërgut kanë nisur të dalin në sipërfaqe, ndonëse ndërmarrja ende nuk ka energji elektrike. Instituti për Hulumtime dhe të Drejtat e Njeriut i kërkon prokurorisë hetim të pavarur për rrethanat e ngujimit.

Minatorët e parë kanë nisur të dalin nga thellësitë e Trepçës, por miniera mbetet ende në errësirë: në ndërmarrje energjia elektrike nuk është rikthyer. Ekipet e Trepçës po punojnë pa ndërprerje për ta rivendosur furnizimin dhe për të mundësuar daljen e të gjithë punëtorëve që ndodhen ende nën tokë.
Ngujimi në minierën e Stantërgut nisi pasi u dogj trafoja kryesore në horizontin e 11-të.
Në terren janë angazhuar edhe punëtorët e KEDS-it. Njëri prej tyre, i përfshirë në përpjekjet për rikthimin e energjisë, la të kuptohej se dëmi shkon përtej minierës, por se problemi mund të zgjidhet: "Ka bërë dëm shumë dhe në rrethinë. Por nëse s’ka prishje tjera, kjo rregullohet". Pak para mesnatës, punimet për rikthimin e energjisë dhe për nxjerrjen e minatorëve vazhdonin.
Instituti për Hulumtime dhe të Drejtat e Njeriut (IHDNj) ka shprehur shqetësim të thellë për fatin e 64 minatorëve, të cilët, sipas informacioneve nga terreni që citon organizata, janë të shpërndarë nëpër horizontet 11, 10, 9 dhe 8, në thellësi deri në rreth 645 metra. IHDNj u ka kërkuar institucioneve dhe ekipeve përgjegjëse angazhim maksimal për shpëtimin dhe nxjerrjen e sigurt të të gjithëve.
"Sipas informacioneve të deritanishme, dalja e minatorëve po realizohet përmes rrugëve emergjente, ndërsa ekipet përkatëse po punojnë për të mundësuar nxjerrjen e sigurt të të gjithë punëtorëve. Është e domosdoshme të sqarohen plotësisht rrethanat e rastit, shkaqet e incidentit dhe nëse të gjithë mekanizmat, pajisjet dhe procedurat e sigurisë kanë funksionuar siç duhet", thuhet në reagimin e institutit.
Organizata shkon më tej dhe i kërkon prokurorisë kompetente të nisë hetime të plota, të pavarura dhe të paanshme. Sipas IHDNj, hetimi duhet të zbardhë nëse ka pasur shkelje të rregullave të sigurisë në punë, neglizhencë institucionale, mosfunksionim të pajisjeve apo përgjegjësi të tjera individuale dhe institucionale, ndërsa përgjegjësit, nëse konstatohen, duhet të mbajnë përgjegjësi sipas ligjit. Pas përfundimit të operacionit të shpëtimit, instituti kërkon edhe një vlerësim të plotë të gjendjes së minierës, pajisjeve, infrastrukturës, rrugëve emergjente dhe procedurave të sigurisë.
IHDNj kujton se këto shqetësime i kishte ngritur më herët përmes hulumtimit "Punëtorët e padukshëm të Nëntokës", i cili dokumentoi kushtet e vështira të punës, ekspozimin ndaj pluhurit, gazrave dhe ngarkesave të rënda fizike, si dhe problemet me shëndetin dhe sigurinë e minatorëve. "Ky rast nuk duhet të mbyllet me një raport formal apo me fajësime të përgjithshme. Siguria e minatorëve kërkon përgjegjësi konkrete, transparencë të plotë dhe masa të menjëhershme për parandalimin e rasteve të ngjashme", thekson organizata.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

