Kancelari gjerman Friedrich Merz e quajti "katastrofë" rezultatin në Meklemburg-Pomerani të Përparme, ku AfD-ja e ekstremit të djathtë doli e para, ndërsa në Berlin CDU-ja e tij u la pas nga e majta. Megjithatë, ai premtoi se do të qëndrojë në detyrë.

Dy zgjedhje në të njëjtën ditë, dy goditje për kancelarin gjerman. Friedrich Merz, lideri i Unionit Kristiandemokrat (CDU) të qendrës së djathtë, ka deklaruar se do të qëndrojë në detyrë, pavarësisht sondazheve në dalje të së dielës që tregojnë humbje të rënda për partinë e tij në Berlin dhe në Meklemburg-Pomerani të Përparme.
Në shtetin verilindor të Meklemburg-Pomeranisë së Përparme, CDU-ja parashikohej se mezi do të kalonte pragun për në parlamentin e landit, ndërsa Alternativa për Gjermaninë (AfD), parti e ekstremit të djathtë, ishte në rrugën e duhur për të marrë numrin më të madh të votave. Vetë Merz e cilësoi rezultatin atje "katastrofë".
Shifrat e transmetuesit publik ZDF e nxirrnin AfD-në me 38 për qind të votave në atë land. Megjithatë, partia vështirë se do të qeverisë atje, pasi partitë e tjera refuzojnë të bashkëpunojnë me të.
Në Berlin, ku CDU-ja është parti qeverisëse, pritej të mundej nga Die Linke (E Majta). Kur mbylleshin qendrat e votimit në orën 18:00 sipas kohës lokale (17:00 sipas kohës britanike), ZDF-ja i jepte kristiandemokratëve 20 për qind të votave, pas Die Linke me afro 26 për qind. Rezultati përfundimtar pritej brenda orëve në vijim.
Goditja vjen dy javë pasi CDU-ja pa votën e saj të përgjysmuar në Saksoni-Anhalt, ku AfD-ja korri një fitore të madhe. Sipas rezultateve paraprake atje, partia e ekstremit të djathtë doli përpara me një diferencë të thellë, me gati 44 për qind të votave, por mbeti tri ulëse larg shumicës dhe po përpiqet të formojë qeveri. Nëse siguron shumicë absolute në Saksoni-Anhalt, do të ishte hera e parë që një parti e ekstremit të djathtë mban pushtetin në nivel landi në Gjermani që nga Lufta e Dytë Botërore. Redaktorja e BBC-së për Evropën, Katya Adler, e sheh fitoren e ekstremit të djathtë në Saksoni-Anhalt si një alarm për Bashkimin Evropian dhe për partitë tradicionale.
Presioni mbi Merzin po rritet: vlerësimet e ulëta në sondazhe dhe thashethemet se ai mund të zëvendësohet në mes të mandatit përmes një të ashtuquajturi "chancellor swap", pra një ndërrimi kancelari. Para votimeve të së dielës, në Gjermani kishte spekulime intensive se Merz mund të largohej nëse fatet politike të partisë së tij nuk përmirësoheshin. Javën e kaluar, liderët e tetë landeve gjermane i dolën në mbështetje kancelarit, i cili e mban postin prej vetëm 16 muajsh.
Përplasja me forcën që po e tkurr elektoratin e tij është e hapur. Merz ka akuzuar lideren e AfD-së, Alice Weidel, se politika e saj për migracionin është "ethnic cleansing", pra pastrim etnik, për punëtorët e kualifikuar.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

