Një nga proceset më të mëdha për krim të organizuar në Prishtinë vazhdoi pa gazetarë në sallë. Arsyeja: shumë të akuzuar, shumë avokatë dhe pak vende.

Gazetarët u urdhëruan të largohen nga salla e gjyqit në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku po zhvillohet seanca ndaj 43 të akuzuarve për krim të organizuar. Arsyetimi për largimin e tyre ishte numri i madh i të akuzuarve dhe i avokatëve të pranishëm, të cilët, sipas këtij arsyetimi, e kishin mbushur sallën deri në atë pikë sa nuk mbetej vend për mediat. Seanca vazhdoi pa praninë e tyre.
Në qendër të procesit është aktakuza e Prokurorisë Speciale, e cila i ngarkon të akuzuarit me përfshirje në krim të organizuar, kontrabandë të cigareve dhe të produkteve farmaceutike, si dhe me shmangie të detyrimeve doganore e tatimore.
Shifrat e pretenduara janë të mëdha. Sipas aktakuzës, dëmi nga shmangia e detyrimeve doganore kalon 1,6 milionë euro, ndërsa obligimet tatimore të shmangura llogariten në mbi 2,4 milionë euro.
Prokuroria pretendon se veprat janë kryer nga janari i vitit 2015 deri më 22 mars 2016, me dashje, me dijeni dhe në mënyrë të qëllimshme, nga një grup i organizuar. Sipas aktakuzës, bëhet fjalë për vepra penale që dënohen me së paku katër vjet burgim.
Të gjithë të akuzuarit prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me aktgjykim të formës së prerë.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

