Kuvendi i Kosovës anashkaloi afatin procedural dhe e çoi drejt e në seancë të jashtëzakonshme projektligjin për Dhomat e Specializuara. Propozuesi i tij, Përparim Gruda nga PDK-ja, i quan akuzat ndaj UÇK-së "re e zezë mbi Kosovën".

Nëntëdhjetë deputetë votuan që projektligji për Dhomat e Specializuara të mos presë afatet e zakonshme. Me këtë vendim, Kuvendi i Kosovës u shmang nga afati procedural i paraparë me Rregulloren e Kuvendit për shqyrtimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, duke i hapur rrugë shqyrtimit dhe votimit të tij në seancën e jashtëzakonshme.
Kërkesën për anashkalimin e afatit e arsyetoi shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Albulena Nagavci. "Propozojmë që shqyrtimi i parë i ndryshimit të këtij Projektligji të vihet në seancën e jashtëzakonshme që do të mbahet sot."
Në foltore, propozuesi i projektligjit, deputeti i PDK-së Përparim Gruda, e paraqiti nismën si mbrojtje të luftës çlirimtare. Ai tha se akuzat që, sipas tij, synojnë ta paraqesin UÇK-në si ndërmarrje të përbashkët kriminale janë "re e zezë mbi Kosovën".
"Ky Kuvend nuk duhet ta lejojë këtë", u tha Gruda deputetëve. "Nuk mund të lejojmë të komprometohet historia e Kosovës dhe lufta jonë çlirimtare", shtoi ai.
Argumenti i tij ligjor u ndërtua mbi origjinën e gjykatës. Sipas Grudës, themelimi i Dhomave të Specializuara ishte i lidhur në thelb me pretendimet për trafikim organesh, ndërsa proceset gjyqësore të zhvilluara në Hagë, tha ai, kanë treguar se trafikim organesh nuk ka pasur. Prandaj, sipas tij, juridiksioni i paraparë fillimisht për Dhomat e Specializuara nuk synonte që ato të trajtonin raste që nuk lidhen me pretendimet mbi të cilat u krijua gjykata.
Gruda këmbënguli se projektligji nuk e mbyll Specialen. Ndryshimet e propozuara, sipas tij, nuk ia heqin gjykatës të drejtën për të vazhduar punën, por synojnë t'ia kufizojnë një pjesë të juridiksionit, përfshirë atë që lidhet me krimet e luftës.
Tani vendimi i takon seancës së jashtëzakonshme, ku projektligji pritet të kalojë shqyrtimin e parë; rezultati i votimit për vetë ndryshimet ende nuk dihet.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

