Avokatja Sophie Menegon i kërkoi trupit gjykues të Gjykatës Speciale lirimin e Hashim Thaçit nga të gjitha akuzat, duke kundërshtuar në tërësi transkriptet e Prokurorisë së Specializuar dhe duke thënë se autorët e tyre mbetën të panjohur për mbrojtjen.

Mbrojtja e Hashim Thaçit, të akuzuar në rastin për administrimin e drejtësisë para Gjykatës Speciale, ka goditur në zemër provën kryesore të akuzës: transkriptet e bisedave. Avokatja e tij, Sophie Menegon, deklaroi para trupit gjykues se mbrojtja i kundërshton këto transkripte në tërësinë e tyre dhe kërkoi lirimin e klientit të vet nga të gjitha akuzat.
"ZPS-ja nuk e ka përmbushur barrën e provës dhe privilegjin e kundërvetëinkriminimit", thotë Menegon, duke iu referuar Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Sipas saj, kundërshtimi nuk është pikëpamje për detaje, por për të tërën. "Ne kundërshtojmë transkriptet në tërësinë e tyre dhe nuk kundërshtojmë fjali të caktuara të transkripteve. Nuk pritet që tani mbrojtja të ketë barrën e provës ose të akuzuarit të kenë barrën e provës për të vërtetuar pasaktësinë", theksoi avokatja.
Argumenti më i mprehtë i mbrojtjes lidhet me atë se kush i përpiloi dokumentet. "Shpallja fajtor në këtë çështje nuk mund të bazohet vetëm ose në shkallë të gjerë në transkriptet e ZPS-së. Personat që i kanë bërë këto transkripte janë të panjohur dhe mbrojtja nuk e ka pasur mundësinë që t'i marrë në pyetje ata", tha Menegon.
Në mbyllje të fjalës së saj, avokatja u ndal në dënimin që, sipas mbrojtjes, kërkon Prokuroria e Specializuar. "Prokuroria ju kërkon juve që të dërgoni në burg z. Thaçi për gjashtë vjet për biseda që janë bërë në qendrën e paraburgimit, të cilat nuk kanë pasur asnjë ndikim në botën reale. Ne kërkojmë që vendimi juaj të bazohet në prova dhe jo në spekulime dhe që të jetë lirimi nga të gjitha akuzat", deklaroi ajo.
Menegon argumentoi se Prokuroria e Specializuar nuk ka arritur të dëshmojë përtej dyshimit të arsyeshëm pretendimet ndaj Thaçit, të cilin ligji e mban të pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës. Reagimi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar ndaj kundërshtimit të transkripteve nuk është bërë i njohur, ndërsa trupi gjykues nuk ka vendosur ende për kërkesën e mbrojtjes.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

