Pas aktgjykimit të shkallës së parë, ekipet mbrojtëse të katër ish-krerëve të UÇK-së që mbahen në Hagë po ndërtojnë strategjinë për ta rrëzuar vendimin, duke u mbështetur te rasti i gjeneralit kroat Ante Gotovina, i dënuar në shkallë të parë dhe i liruar në Apel.

Beteja ligjore për aktgjykimin e shkallës së parë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka kaluar tashmë në shkallën e dytë të Gjykatës Speciale. Mbrojtja po përgatit argumentet për rrëzimin e vendimit, ndërsa avokatët ndërkombëtarë të përfshirë në proces vlerësojnë se Gjykata ka tejkaluar kompetencat e veta duke i cilësuar si kriminale mjetet e luftës për shtetësi.
Avokati ndërkombëtar Luka Mishetiq, pjesë e ekipeve mbrojtëse në këtë proces, ka reaguar ashpër ndaj interpretimeve të fundit të aktgjykimit kundër ish-udhëheqësve të luftës së Kosovës. Në një kundërshtim të hapur drejtuar Marko Prelecit nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, ai argumentoi se Gjykata nuk kishte asnjë juridiksion për të gjykuar të drejtën e Kosovës për pavarësi, por tentoi të kriminalizonte mjetet e përdorura për çlirimin e vendit.
Përmes një reagimi në platformën X, Mishetiq e cilësoi vendimin si një kapërcim të paprecedentë ligjor. "Trupi Gjykues vendosi se një pjesë e qëllimit të anëtarëve të Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale dhe të tjerëve në udhëheqjen e UÇK-së ishte që pavarësia e Kosovës të arrihej përmes krimeve të luftës. Edhe Prokuroria nuk shkoi aq larg", nënvizoi ai.
Ky konstatim i shkallës së parë po vlerësohet si një goditje e pabazuar që cenon thelbin e kauzës çlirimtare të Kosovës. Megjithatë, për të katër ish-krerët e UÇK-së që mbahen në Hagë, situata nuk shihet si e pakthyeshme. Sipas juristëve të vendit, përgatitja e lartë e ekipeve mbrojtëse dhe përvoja e tyre ndërkombëtare mund të sjellin një kthesë rrënjësore në shkallën e dytë.
Pikë referimi është bërë një rast i Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë: ai i gjeneralit kroat Ante Gotovina, i dënuar nga shkalla e parë dhe i liruar në Apel. "Këtu duhet ta kemi parasysh rastin e Kroacisë me gjeneralin Ante Gotovina, i cili u dënua nga shkalla e parë, por u lirua në Apel. Ne urojmë që fati i njëjtë t'i përcjellë edhe krerët tanë, sidomos duke pasur parasysh që mbrojtja udhëhiqet nga i njëjti avokat, Luka Misetiq", tha avokati Florim Shefqeti.
Ata që e ndjekin procesin presin që faza e ardhshme ta zhveshë aktgjykimin nga ngarkesat politike. Argumentet e reja të mbrojtjes për katër ish-krerët e UÇK-së pritet të shpalosen sapo të dorëzohet zyrtarisht njoftimi për apel, hap me të cilin nisin formalisht procedurat për rrëzimin e vendimit të shkallës së parë.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

