Avni Bytyçi, pjesë e panelit mbrojtës të Kadri Veselit, akuzon kryeministrin Albin Kurti se ka legjitimuar aktgjykimin e Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Ai i drejton një pyetje publike për përgjegjësinë individuale të Rexhep Selimit.

A e konsideron kryeministri Albin Kurti Rexhep Selimin personalisht përgjegjës për vrasjen e 96 personave? Me këtë pyetje publike ka dalë Avni Bytyçi, pjesë e panelit mbrojtës të Kadri Veselit, pas deklaratave të kreut të Qeverisë për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në një postim, Bytyçi nuk e fshehu zhgënjimin. Sipas tij, kryeministri, në vend që të mbronte atë që ai e quan "të vërtetën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës", i dha legjitimitet vendimit të gjykatës.
"Kam shpresuar që Albin Kurti do ta mbështeste të vërtetën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai sot e legjitimoi aktgjykimin e Dhomave të Specializuara, të cilat, në mënyrë brutale, kanë përndjekur krerët e UÇK-së, kanë kriminalizuar luftën çlirimtare dhe, mbi të gjitha, e kanë vendosur UÇK-në në të njëjtën peshore me forcat paramilitare serbe në Kosovë", shkroi ai.
Thelbi i argumentit të Bytyçit është parimi i përgjegjësisë individuale. "Asnjë gjykatë ndërkombëtare nuk e gjykon një shtet apo një organizatë si të tillë në një procedurë penale. Nuk ka përgjegjësi kolektive dhe shtetet nuk gjykohen penalisht", argumentoi ai. Sipas tij, që nga Gjykata e Nurembergut e këtej, individët janë dënuar për veprimet e tyre në emër ose në kuadër të organizatave dhe shteteve, jo organizatat apo shtetet vetë.
Për ta përforcuar këtë pikë, Bytyçi përmendi aktgjykimin ndaj Mlladiqit, ku, sipas tij, përdoret e njëjta formulë e përgjegjësisë penale individuale. Ai shtoi se edhe Millosheviqi, i cili sipas tij vdiq në burg, do të ishte përballur me të njëjtin standard.
Pikërisht nga ky parim Bytyçi ndërtoi pyetjen për kryeministrin: "nëse dënimi është për përgjegjësi individuale, a do të thotë kjo se Rexhep Selimi i ka kryer personalisht krimet e mëposhtme?" Në listën që ai publikoi figurojnë ndalimi ose arrestimi i paligjshëm a arbitrar i të paktën 385 personave, trajtimi mizor i të paktën 49 personave, tortura ndaj të paktën 303 personave dhe vrasja e 96 personave.
Postimin, Bytyçi e mbylli me një sulm të drejtpërdrejtë ndaj Brukselit dhe Prishtinës zyrtare: "Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Kosovës po e trajtojnë popullin e Kosovës si budallenj!"
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

