Kievi çoi mbi 600 dronë mbi Moskën dhe rrethinat brenda natës, duke përfshirë një depo të gjigantit të tregtisë online Wildberries. Ndërkohë Rusia kërcënon Britaninë pasi u raportua se dronë britanikë u përdorën për herë të parë kundër territorit rus.

Ukraina lëshoi mbi 600 dronë mbi Moskën dhe zonat përreth gjatë natës, duke vazhduar valën e goditjeve masive mbi objektiva në Rusi pas sulmeve edhe më të mëdha të fundjavës. Të paktën tre persona u plagosën në këto sulme.
Sipas agjencisë Reuters, dronët besohet se goditën një depo të kompanisë ruse të tregtisë elektronike Wildberries dhe objekte të tjera pranë Moskës. Krahas kryeqytetit, disa rajone të tjera nën kontrollin rus raportuan sulme të rënda, ndër to Krimeja e pushtuar, ku furnizuesi me energji i gadishullit njoftoi ndërprerje të rrymës.
Ndërkohë, sulmet nuk kanë qenë vetëm në një drejtim. Të paktën 10 persona u vranë në një goditje ruse mbi fshatin Peçenihi në rajonin e Harkivit — një sulm që, sipas Ukrainës, preku shtëpi private dhe dyqane.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sibiha, reagoi ndaj sulmeve ruse të natës. "Putini vazhdon ta zvarrisë luftën në vend që të pranojë propozimet realiste të Ukrainës për armëpushim dhe t'i japë fund gjakderdhjes", tha ai.
Sibiha kërkoi shtimin e presionit ndërkombëtar mbi Kremlinin. "Për sa kohë që Moska refuzon paqen, ajo duhet të përballet me një kosto në rritje për zgjatjen e kësaj lufte përmes sanksioneve shtesë, izolimit dhe përgjegjësisë së rreptë për krimet ruse. Po informojmë partnerët tanë dhe organizatat ndërkombëtare dhe po bëjmë thirrje për veprim për t'i dhënë fund këtij terrori dhe për të siguruar drejtësi", tha ministri.
Ai u ndal edhe te mekanizmi i drejtësisë ndërkombëtare: "U bëj thirrje të gjitha shteteve t'i bashkohen përpjekjeve tona për përgjegjësi, përfshirë Tribunalin Special për Krimin e Agresionit Kundër Ukrainës, që së shpejti do të nisë veprimtarinë e tij në Hagë. Përgjegjësia për krimet ruse është çështje parimi — jo vetëm për viktimat e sulmeve ruse, por për të gjithë komunitetin ndërkombëtar."
Përballja mori edhe një dimension të ri diplomatik. Moska kërcënoi Britaninë me "pasoja" pas raportimeve se dronë britanikë ishin përdorur për herë të parë për të goditur objektiva në tokën e vetë Rusisë. Sipas gazetës Sunday Times, Ukraina përdori dronë të prodhuar nga dy kompani britanike si pjesë e të ashtuquajturës fushatë e goditjeve në thellësi.
Këtë vit Kievi ka intensifikuar sulmet mbi Rusinë, me raketa me rreze të gjatë veprimi dhe tufa dronësh që synojnë gjithnjë e më shumë industritë ushtarake dhe objektet e energjisë. Ndër objektivat kanë qenë edhe depot gjigante të Wildberries — shitësit më të madh online në Rusi — duke djegur mallra me vlerë miliarda funtesh dhe duke e sjellë luftën pranë publikut rus, më shumë se katër vjet pas nisjes së pushtimit të plotë rus të Ukrainës.
Ambasada e Rusisë në Britani deklaroi të hënën se raportimet "konfirmojnë se Londra po zgjedh qëllimisht një përshkallëzim të krizës në Ukrainë" dhe akuzoi Britaninë se po "kërkon të përmbajë Rusinë dhe t'i shkaktojë asaj dëm maksimal përmes të tretëve". "Veprimet e Londrës do të sjellin në mënyrë të pashmangshme pasoja për të cilat do të duhet të përgjigjet", thuhet në deklaratë. "Sa më e thellë të jetë përfshirja e saj në konflikt dhe sa më e madhe mbështetja e saj për makinerinë terroriste të Kievit, aq më i lartë do të jetë çmimi që do të paguajë."
Nga ana e saj, pala britanike ka mbajtur qëndrim të fortë: "Britania qëndron krah për krah me Ukrainën dhe jemi të përkushtuar t'i sigurojmë Ukrainës pajisjet që i nevojiten për të mbrojtur veten kundër pushtimit të paligjshëm të Putinit. Rusia nuk duhet të ketë asnjë dyshim për vendosmërinë e kësaj qeverie për t'u përballur me agresionin rus, në Ukrainë dhe kundër Mbretërisë së Bashkuar e aleatëve tanë."
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

