Një defekt kompjuterik dyshohet se çoi në rrjedhjen e mbi 5.000 galonëve naftë diezel nga rezervuari i një qendre të dhënash në Secaucus të New Jersey-t. Ekipet kanë punuar gjithë fundjavën në Anderson Creek dhe kanë rikuperuar rreth 3.500 galonë.

Nafta doli nga rezervuari i një qendre të dhënash dhe përfundoi në një përrua që derdhet në lumin Hackensack. Sipas zyrtarëve të shtetit të New Jersey-t, nga depoja rrodhën mbi 5.000 galonë naftë diezel, ndërsa ekipet e pastrimit kanë kaluar tërë fundjavën në terren, në jug të qytetit Secaucus.
Rrjedhja u raportua për herë të parë të premten, më 11 shtator, dhe erdhi nga një rezervuar i Equinix Data Center, sipas një deklarate të vetë kompanisë. Deri të hënën nuk ishte e qartë sa galonë saktësisht kishin përfunduar në Anderson Creek, bëri të ditur Departamenti i Mbrojtjes së Mjedisit i New Jersey-t (NJDEP).
Kryebashkiaku i Secaucus, Michael Gonnelli, ka reaguar ashpër ndaj incidentit. "Kjo nuk duhej të kishte ndodhur kurrë, dhe çdo incident i tillë është jashtëzakonisht shqetësues, për të mos thënë më shumë", tha ai në një deklaratë. "Unë nuk jam ekspert mjedisi, por e di se incidente si këto nuk kanë përfundim të mirë nëse nuk trajtohen si duhet".
Sipas Gonnellit, në momentin kur kompania zbuloi rrjedhjen, u njoftua zjarrfikësja e qytetit, si dhe autoritetet shtetërore e federale, siç kërkohet me ligj. Zjarrfikësit nga ana e tyre kontaktuan NJDEP-në dhe Komisionin Rajonal të Shëndetësisë së Hudsonit. Shkaku, theksoi kryebashkiaku, duket se ka qenë një defekt kompjuterik ("computer glitch").
Ndotja mbeti e kufizuar brenda përroit. "NJDEP na ka siguruar se, meqë u raportua menjëherë dhe ekipet e kufizimit e të pastrimit nisën punën pa vonesë, nafta u përmbajt në përrua dhe nuk arriti tek lumi Hackensack", tha Gonnelli. Departamenti i Mbrojtjes së Mjedisit e konfirmoi po ashtu se dizeli nuk kaloi në lumin Hackensack.
Nga sasia e derdhur, vlerësohet se deri tani janë rikuperuar rreth 3.500 galonë. NJDEP-ja ka bërë të ditur se në zonë nuk ka pika marrjeje uji që mund të ishin ndotur dhe se nuk janë raportuar pasoja te fauna e egër.
Administrata e qytetit po punon me NJDEP-në dhe me Agjencinë Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA) për të siguruar kufizimin e plotë të situatës. Sipas vlerësimeve të NJDEP-së, procesi i pastrimit do të vazhdojë edhe për disa ditë.
Gurë kalldrëmi të shkulur nga Parku Rinia, gaz lotsjellës dhe mbi 100 të arrestuar: protestat kundër qeverisë në Shqipëri hynë në ditën e shtatë pa asnjë shenjë qetësimi. Kryeministri Rama i quan pjesë të një sulmi të koordinuar, ndërsa protestuesit fajësojnë policinë për dhunën.

