Më shumë se 50 punëtorë që siguronin Qendrat e Mjekësisë Familjare në Prishtinë kanë mbetur pa punë dhe pa të ardhura, me arsyetimin e mungesës së buxhetit. Sindikata kërkon zgjidhje urgjente nga Komuna dhe paralajmëron protesta e greva.

Më shumë se 50 punëtorë të sigurimit në Qendrat e Mjekësisë Familjare (QMF) në Prishtinë kanë mbetur pa punë dhe pa të ardhura, ndërsa sindikata e tyre paralajmëron protesta dhe greva para Komunës së Prishtinës nëse çështja nuk zgjidhet shpejt.
Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës (FSPTSPK) bëri të ditur të hënën se punëtorët iu drejtuan zyrave të saj pasi, sipas tyre, u larguan nga vendet e punës pa asnjë paralajmërim. Sipas sindikatës, Komuna e Prishtinës u ka thënë atyre se arsyeja e largimit është mungesa e buxhetit. Federata thekson se problemi nuk lidhet me kompaninë që i punëson: "Në ndërkohë, ndaj kompanisë së sigurimit nuk ka pasur asnjë vërejtje dhe kompania nuk është paraqitur si arsye për largimin e këtyre punëtorëve nga vendet e tyre të punës", thuhet në njoftimin e saj.
Personat përgjegjës në Drejtorinë e Sigurisë dhe Emergjencave u kanë premtuar punëtorëve se rasti i tyre do të trajtohet me prioritet, me synimin që të rikthehen në punë. Megjithatë, sipas sindikatës, deri tani nuk është dhënë asnjë datë e sigurt për këtë. "Bëhet fjalë për rreth mbi 50 punëtorë, të cilët kanë mbetur pa të ardhura dhe pa një afat të qartë lidhur me kthimin e tyre në vendet e punës", shkruan FSPTSPK.
Federata i ka kërkuar Komunës së Prishtinës që çështjen ta trajtojë me urgjencë dhe të japë një përgjigje konkrete si për gjendjen e punëtorëve, ashtu edhe për afatin e mundshëm të rikthimit të tyre. Kryetari i FSPTSPK-së deklaroi se sindikata nuk do të qëndrojë indiferente: "Do të kërkojmë që për këta punëtorë të gjendet një zgjidhje konkrete dhe sa më e shpejtë".
Nëse nuk ndërmerren hapa konkretë, sindikalistët paralajmërojnë veprime sindikale dhe institucionale për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, përfshirë protesta dhe greva para Komunës. "Punëtorët nuk mund të mbahen në pasiguri dhe pa të ardhura pa një përgjigje dhe zgjidhje konkrete nga institucionet përgjegjëse", përfundon njoftimi.
Familjet që aplikojnë vonë humbin muaj mbështetjeje, sepse subvencioni për faturat e rrymës nis vetëm nga muaji i aprovimit. Aplikimi për programin 2026-2027 është i hapur deri më 31 mars 2027.

