Fruta dhe perime të shitura jashtë tregut, pa origjinë dhe në kushte të papërshtatshme, përfunduan në asgjësim pas aksioneve të inspektorëve në dy tregje të Shkupit. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë paralajmëron se kontrollet do të shtrihen në të gjithë vendin.

Mbi 5 ton ushqim i pasigurt, kryesisht fruta dhe perime të shitura ilegalisht jashtë hapësirave të tregut, është sekuestruar dhe shkatërruar javën e kaluar në Tregun e Gjelbër të Shkupit dhe në tregun e lagjes Gjorçe Petrov, njoftoi Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).
Aksionet janë pjesë e një vale kontrollesh të jashtëzakonshme dhe të intensifikuara në tregjet e gjelbra. Sipas AUV, synimi është goditja e tregtisë së paligjshme të frutave dhe perimeve, si dhe e shitjes së ushqimit në kushte të papërshtatshme dhe pa origjinë të njohur. Në shënjestër janë më shpesh rishitësit që tregtojnë jashtë hapësirave të organizuara të tregut.
Agjencia e sheh këtë praktikë si rrezik të dyfishtë, për blerësit dhe për ata që punojnë sipas rregullave. "Kjo kryesisht ka të bëjë me frutat dhe perimet që janë shitur ilegalisht, jashtë tregut, gjë që kërcënon drejtpërdrejt sigurinë e konsumatorit, por edhe shtrembëron konkurrencën në treg, në dëm të prodhuesve bujqësorë primarë dhe tregtarëve të ligjshëm", thuhet në njoftimin e AUV.
Inspektorët e agjencisë nuk veprojnë vetëm. Kontrollet zhvillohen në bashkërendim me inspektoratin komunal të Qytetit të Shkupit, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Inspektoratin Shtetëror të Tregut, me qëllim parandalimin e tregtisë së paligjshme dhe sigurimin e kushteve ligjore për shitjen e ushqimit.
Aksionet nuk mbyllen me dy tregjet e kryeqytetit. "Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë do të vazhdojë të kryejë kontrolle të intensifikuara në periudhën e ardhshme, në lokacione të ndryshme në Shkup dhe në të gjithë vendin. Qëllimi është mbrojtja e shëndetit të konsumatorit, parandalimi i tregtisë së ushqimeve të pasigurta dhe krijimi i kushteve të drejta të punës për tregtarët e ligjshëm dhe prodhuesit kryesorë bujqësorë", paralajmërojnë nga AUV.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

