Gjykata e Apelit mbylli gushtin me rreth 41 mijë e 400 lëndë të pazgjidhura, 1.300 më shumë se dy muaj më parë. Në Departamentin Administrativ, ku presin rreth 2.200 dosje, punon vetëm një gjyqtar i përhershëm.

Në dy muaj verore, grumbulli i dosjeve në Gjykatën e Apelit u rrit me rreth 1.300 lëndë. Në fund të gushtit 2026, numri i çështjeve që presin zgjidhje arriti rreth 41 mijë e 400, pasi gjykata pranoi më shumë lëndë sesa arriti të mbyllte.
Të dhënat dalin nga raportet e punës për korrikun dhe gushtin, të publikuara nga Apeli më 22 shtator. Në fund të qershorit gjykata kishte rreth 40 mijë lëndë të pazgjidhura. Gjatë dy muajve pasues pranoi mbi 4.500 lëndë të reja dhe zgjidhi rreth 3.200.
Pesha kryesore bie mbi Divizionin Civil, ku mbetën mbi 33 mijë lëndë të pazgjidhura, pra afërsisht katër nga çdo pesë dosje në pritje në të gjithë Apelin. Vetëm gjatë gushtit ky divizion pranoi mbi 700 lëndë dhe zgjidhi rreth 300, duke shtuar brenda një muaji mbi 400 dosje civile në radhë.
Vetë gjykata e ka veçuar si sfidë gjendjen në Departamentin Administrativ. Ai funksionon me vetëm një gjyqtar të përhershëm dhe tre gjyqtarë ndihmës, të cilët mbulojnë njëkohësisht edhe departamentet e tyre përkatëse. Rezultati duket qartë në shifra: në fund të gushtit aty prisnin rreth 2.200 lëndë të pazgjidhura, ndërsa gjatë atij muaji u pranuan rreth 60 lëndë dhe u përfunduan vetëm 23.
Apeli njoftoi se shkalla e efikasitetit u rrit nga rreth 70 për qind në korrik në rreth 74 për qind në gusht. Në praktikë kjo do të thotë se për çdo 100 lëndë të pranuara, gjykata zgjidhi rreth 70 në korrik dhe rreth 74 në gusht, ndërsa lëndët e përfunduara mund të përfshijnë edhe dosje të pranuara më herët.
Përqindja më e lartë nuk nënkupton më shumë punë të kryer. Në korrik u zgjidhën rreth 2.100 lëndë, ndërsa në gusht rreth 1.100, pothuajse përgjysmë më pak. Njëkohësisht ranë edhe lëndët e reja, nga rreth 3 mijë në korrik në rreth 1.500 në gusht.
Ka edhe kahje të kundërt në disa kategori. Divizioni Civil-Përmbarimor pranoi 36 lëndë dhe zgjidhi 96 gjatë gushtit, duke e ulur ngarkesën e vet për 60 lëndë. Por në tërësi, gjatë korrikut dhe gushtit Apeli nuk arriti të përfundonte aq lëndë sa pranoi dhe numri i dosjeve në pritje vazhdoi të rritej.
Raportet e publikuara nuk tregojnë sa kohë ka pritur secila dosje, as sa prej rasteve mund të rrezikojnë parashkrimin.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

