Më shumë se njëqind vizita në një agjenci udhëtimesh dhe të paktën gjashtëdhjetë depozitime parash nga droga e çuan një 26-vjeçar dhe kushëririn e tij para Gjykatës Penale në Lucern. Në të njëjtën çështje u dënua edhe një grua 31-vjeçare nga Kosova.

Një agjenci udhëtimesh në Lucern u shndërrua, sipas prokurorisë zvicerane, në kanalin përmes të cilit u pastruan më shumë se 300 mijë franga zvicerane nga shitja e kokainës dhe heroinës. Gjykata Penale e Lucernit ka dënuar për trafik droge dhe pastrim parash dy kushërinj shqiptarë, 26 dhe 22 vjeç, ndërsa një grua 31-vjeçare nga Kosova është shpallur fajtore për ndihmë në aktivitetin e tyre.
Të tre të pandehurit i pranuan akuzat dhe dënimet që kërkoi prokuroria, prandaj çështja u trajtua me procedurë të përshpejtuar. Vendimet janë tashmë përfundimtare dhe ligjërisht të detyrueshme.
Sipas aktakuzës, 26-vjeçari shiti rreth tre kilogramë kokainë gjatë një viti e katër muajsh, duke nisur nga dhjetori i vitit 2022. Në vitin 2025 ai iu rikthye trafikimit edhe për rreth tre muaj. Në një periudhë tjetër, aktivitetin ia kishte kaluar kushëririt 22-vjeçar, i cili sipas akuzës shiti rreth dy kilogramë heroinë.
Prokuroria i ka cilësuar të dy kushërinjtë si pjesëtarë të nivelit më të ulët në hierarkinë e grupit kriminal.
Pjesa financiare e skemës kalonte nëpër agjencinë e udhëtimeve. Sipas prokurorisë, 26-vjeçari e kishte vizituar atë më shumë se 100 herë dhe në të paktën 60 raste kishte depozituar para që dyshohet se vinin nga shitja e drogës. Në rastin e 22-vjeçarit, shuma e lidhur me veprat penale arrin në rreth 130 mijë franga.
Për 26-vjeçarin, gjykata mbajti parasysh pranimin e fajësisë dhe bashkëpunimin gjatë procedurës. Ai u dënua me tre vjet burgim, nga të cilët 18 muaj do t'i vuajë, ndërsa pjesa tjetër iu pezullua. Edhe kushëriri i tij mori tre vjet burgim, por pjesa e pakushtëzuar në rastin e tij është nëntë muaj. Të dy u dëbuan nga Zvicra dhe atyre iu shqiptua ndalim dhjetëvjeçar i hyrjes në vend.
Gruaja 31-vjeçare u dënua me dhjetë muaj burgim me kusht. Sipas aktakuzës, ajo kishte siguruar akomodim dhe kishte mbledhur qiranë, duke ditur se hapësira që ofronte përdorej për aktivitet të lidhur me drogën. Ndryshe nga dy burrat, ndaj saj nuk u vendos dëbim: gjykata mori parasysh se ajo ka lindur në Zvicër dhe ka lidhje të forta me vendin.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

