Pas vitesh me furnizim e faturim të pazgjidhur të energjisë në veri të Kosovës, mbi 20 mijë amvisëri dhe biznese kanë tani njehsorë inteligjentë. Bashkimi Evropian e paraqet projektin prej 3.3 milionë eurosh si rezultat konkret të Dialogut Kosovë-Serbi.

Në katër komunat veriore të Kosovës, konsumi i energjisë elektrike po matet tashmë me mbi 20 mijë njehsorë inteligjentë, të vendosur në amvisëri dhe biznese. Kjo është shifra kryesore e një projekti në vlerë prej 3.3 milionë eurosh, të financuar nga Bashkimi Evropian, i cili u shpall i përfunduar të mërkurën në Mitrovicën e Veriut.
Shënimi i përfundimit u bë nga Bashkimi Evropian në Kosovë, së bashku me Kompaninë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) dhe Elektroseverin, dy kompanitë që gjatë viteve 2025 dhe 2026 kanë bashkëpunuar në instalimin e njehsorëve të rinj.
Projekti nuk është thjesht teknik. Ai lidhet drejtpërdrejt me Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjeve për Energjinë, të cilin Kosova dhe Serbia e dakorduan në vitin 2022 në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Udhërrëfyesi synon të adresojë furnizimin dhe faturimin e energjisë elektrike në komunat veriore, një problem që për vite me radhë kishte mbetur i pazgjidhur.
Njehsorët e rinj mundësojnë matjen më të saktë të konsumit dhe faturimin sipas konsumit të regjistruar. Sipas BE-së, sistemi i ri lejon edhe monitorim më të mirë të konsumit dhe pritet të rrisë transparencën dhe qëndrueshmërinë e furnizimit me energji elektrike.
Bashkimi Evropian e vlerëson projektin si shembull se si marrëveshjet e Dialogut Kosovë-Serbi mund të prodhojnë rezultate konkrete. "Projekti dëshmon se si marrëveshjet e arritura përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja mund të shndërrohen në përmirësime praktike në terren", thuhet në njoftimin e publikuar me këtë rast.
BE-ja ka ritheksuar se mbetet e përkushtuar të mbështesë zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Dialog dhe zgjidhjet që, sipas saj, sjellin përfitime për qytetarët dhe kontribuojnë në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Familjet që aplikojnë vonë humbin muaj mbështetjeje, sepse subvencioni për faturat e rrymës nis vetëm nga muaji i aprovimit. Aplikimi për programin 2026-2027 është i hapur deri më 31 mars 2027.

