Tri ditë protestash në Shqipëri kanë lënë pas bankomate të thyera, degë bankash të mbyllura dhe biznese të shkatërruara. Punonjësit e sigurisë akuzojnë Policinë e Shtetit se nuk iu përgjigj thirrjeve për ndihmë.

"Kam shtypur butonin e panikut dhe nuk më erdhi asnjë." Me këto fjalë një punonjës sigurimi i një prej bankave të dëmtuara përshkruan orët kur vitrinat dhe pajisjet po thyheshin gjatë protestave të ditëve të fundit në Shqipëri.
Bilanci i tri ditëve të trazirave është i rëndë për sektorin privat: mbi 15 filiale të bankave të nivelit të dytë janë dëmtuar, ndërsa një numër i konsiderueshëm biznesesh të tjera janë dëmtuar ose shkatërruar. Bizneset dhe punonjësit e tyre e cilësojnë mbrojtjen dhe reagimin e Policisë së Shtetit si minimal, për të mos thënë inekzistent.
Punonjësit e sigurimit të bankave thonë se e njoftuan policinë ndërsa dëmtimet ishin në zhvillim, por ndihma nuk mbërriti. E vetmja mbështetje erdhi nga kompanitë private të sigurisë. "Kam shtypur butonin e panikut dhe nuk më erdhi asnjë, bëmë kërkesë edhe për ndihmë nga policia, s’pati prezencë të tyre. Kam ngelur vetëm për momentin. Veç më erdhën forcat tona private, por ishte thyer gjithçka", rrëfen njëri prej tyre. Policia e Shtetit nuk ka dhënë ende një reagim publik ndaj këtyre pretendimeve.
Pasojat po i ndiejnë drejtpërdrejt qytetarët. Pranë një filiali me bankomatin e shkatërruar, shërbimet janë ndërprerë dhe klientët presin jashtë. "Më përpara futeshe brenda shumë më shpejt, tani po presim radhë jashtë, shife si e kanë bllokuar. Bizneset duhet të mbrohen se ka nga ato që janë private. Duhet të ketë prezencë të shtuar të policëve", tha një prej tyre.
Bankat kanë kufizuar numrin e degëve që mbajnë të hapura, duke garantuar njëkohësisht sigurinë e depozitave. Të njëjtin mesazh qetësimi dha edhe Delina Ibrahimaj: "Mbi 15 filiale bankash janë dëmtuar nga aktet e dhunës së ditëve të fundit, duke goditur hapësirat ku qytetarët marrin pagat, kryejnë transaksione dhe përmbushin detyrimet e tyre të përditshme. Dua t’i siguroj të gjithë qytetarët se depozitat e tyre janë të sigurta. Sistemi ynë bankar është i shëndoshë, i mirëkapitalizuar dhe i mbikëqyrur."
Për bizneset, garancitë për kursimet nuk mjaftojnë. Disa prej tyre kanë marrë tashmë masa shtesë për të mbrojtur ambientet e veta, ndërsa kërkesat drejtuar autoriteteve janë të qarta: mbrojtje e pronës private, reagim në kohë ndaj sinjalizimeve për rrezik dhe prani më e shtuar policore në zonat me aktivitet të lartë ekonomik, për të mos lejuar që skenat e këtyre ditëve të përsëriten.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

