Pas marrëveshjes me Komunën e Prizrenit dhe KMDK-në, kamionët e “Ekoregjionit” rikthehen në rrugët e katër komunave. Kompania u kërkon falje qytetarëve dhe bizneseve për ndërprerjen.

Grumbullimi dhe transportimi i mbeturinave ka rifilluar normalisht në Prizren, Suharekë, Malishevë dhe Rahovec, ka njoftuar kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Ekoregjioni”, Burim Shala.
Zgjidhja erdhi përmes një marrëveshjeje mes tri palëve: “Ekoregjionit”, Komunës së Prizrenit dhe Kompanisë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK). Sipas Shalës, marrëveshja synon tejkalimin e problemit me deponimin e mbeturinave, i cili kishte shkaktuar ndërprerjen e shërbimit në këto katër komuna. Nuk është bërë e ditur se çfarë parasheh konkretisht marrëveshja.
Shala tha se shërbimi do të vazhdojë normalisht në gjithë territorin ku operon kompania, si në zonat urbane, ashtu edhe në ato rurale. Ai u kërkoi falje qytetarëve dhe bizneseve për shqetësimet që u shkaktoi ndërprerja.
Kryeshefi i “Ekoregjionit” falënderoi për kontributin në zgjidhjen e situatës kryetarin e Prizrenit, Shaqir Totaj, nënkryetarin Kujtim Gashi, drejtorin e Shërbimeve Publike, Islam Ukimeri, si dhe menaxhmentin e KMDK-së.
Familjet që aplikojnë vonë humbin muaj mbështetjeje, sepse subvencioni për faturat e rrymës nis vetëm nga muaji i aprovimit. Aplikimi për programin 2026-2027 është i hapur deri më 31 mars 2027.

