Ministria e Arsimit dhe Shkencës thotë se ka konfirmim zyrtar nga Policia e Kosovës se në ambientet e saj nuk është kryer asnjë bastisje. Policia, nga ana e saj, deklaron se deri tani nuk ka informacion zyrtar për ndonjë veprim të saj në ministri.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) e ka cilësuar të pavërtetë lajmin se Policia e Kosovës ka kryer sot bastisje në ambientet e saj, një informacion që ishte përhapur gjatë ditës në disa media.
Në reagimin zyrtar, ministria thekson se pretendimin e ka verifikuar drejtpërdrejt te policia. "MASh sqaron se ka marrë konfirmim zyrtar nga Policia e Kosovës se ky informacion është i pavërtetë dhe se në ambientet e saj nuk ka pasur bastisje", thuhet në deklaratë.
Policia e Kosovës, e pyetur nga media për rastin, nuk ka dhënë asnjë të dhënë për ndonjë operacion në ministri. "Referuar kërkesës suaj ju informojmë se, deri më tani nuk ka ndonjë informacion zyrtar për ndonjë zhvillim/rast të realizuar sot nga Policia e Kosovës, në ministrinë të cilës iu keni referuar", është përgjigjja e policisë.
Ministria ka shkuar më tej, duke u kërkuar Veriu.info, Indeksonline, Klan Kosova, Paparaci, Infokus dhe mediave të tjera që e kishin publikuar apo ripublikuar informacionin ta tërheqin lajmin dhe ta publikojnë demantimin me të njëjtën dukshmëri që iu dha lajmit fillestar.
Sipas MASh, puna në institucion po vazhdon normalisht dhe të gjitha detyrat institucionale po realizohen sipas planifikimeve të përcaktuara.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

