Ai po vuan tashmë burgim të përjetshëm për vrasjen e dhjetë njerëzve me ngjyrë në një supermarket në Buffalo. Tani një juri federale do të vendosë nëse Payton Gendron duhet ekzekutuar, ndërsa familjet e viktimave janë të ndara.

Katër vjet pas sulmit që la dhjetë të vdekur në një supermarket në Buffalo të shtetit të Nju Jorkut, Payton Gendron rikthehet para gjykatës. Kësaj radhe në lojë nuk është më fajësia e tij, por jeta e tij. Përzgjedhja e jurisë në gjyqin federal, ku ai rrezikon dënimin me vdekje, pritet të nisë të martën.
Gendron përballet me mbi dy duzina akuza federale për krime urrejtjeje (Departamenti amerikan i Drejtësisë ka ngritur 26 të tilla) dhe me më shumë se një duzinë akuza që lidhen me armët e zjarrit. Ai po vuan tashmë burgim të përjetshëm, pasi në vitin 2023 u deklarua fajtor për akuzat shtetërore të vrasjes. Në atë gjyq, me lot në sy, ai pranoi krimet dhe hoqi dorë nga pikëpamjet e tij të mëparshme.
Mbrojtja nuk do ta kundërshtojë fajësinë. Synimi i saj i vetëm është ta shpëtojë Gendronin nga ekzekutimi. "Asgjë nuk do ta ndryshojë faktin që Payton Gendron do të vdesë në burg", deklaroi zyra federale e mbrojtësve publikë, e cila e përfaqëson atë. "Në gjyq, ne do të paraqesim prova lehtësuese për Paytonin, të cilat juria duhet t'i marrë parasysh kur të marrë vendimin e saj. Asgjë që themi apo bëjmë nuk synon të jetë mosrespektuese apo e pandjeshme ndaj viktimave, të mbijetuarve apo të dashurve të tyre."
Rruga drejt këtij gjyqi u hap në vitin 2024, kur Departamenti i Drejtësisë, nën administratën e presidentit Joe Biden, vendosi të kërkonte dënimin me vdekje. Ishte çështja e parë e këtij lloji e mbikëqyrur nga prokurori i atëhershëm i përgjithshëm, Merrick Garland, i cili më parë kishte vendosur një moratorium mbi dënimin me vdekje. Gendron dhe avokatët e tij njoftuan se ai do të deklarohej fajtor edhe në çështjen federale vetëm në këmbim të një dënimi të përjetshëm. Departamenti i Drejtësisë e hodhi poshtë këtë propozim.
Për familjet e viktimave, pyetja se çfarë dënimi meriton autori nuk ka një përgjigje të vetme. Wayne Jones, nëna e të cilit, Celestine Chaney, u vra në sulm, thotë se nuk do të donte ta shihte autorin të dënuar me vdekje. Mungesa e përditshme e nënës është një nga arsyet. "Unë me të vërtetë mendoj se ai thjesht duhet të ulet dhe të detyrohet të mendojë për këtë vit pas viti pas viti dhe thjesht të jetë i mjerë", tha Jones, i cili planifikon ta ndjekë gjyqin. "Kur isha më i ri, ndoshta do të isha më i prirur të thoja ‘vriteni’. Por, në këtë pikë, dua të them, ai ka ende të paktën 20-30 vjet ankimesh përpara."
Të tjerë nuk e kundërshtojnë plotësisht dënimin kapital. Zeneta Everhart, anëtare e Këshillit Bashkiak të Buffalos, kandidoi për këtë post më shumë se një vit pasi djali i saj i mbijetoi të shtënave. "Unë kurrë nuk kam qenë si ata që thonë ‘Hurra! Shkoni për dënimin me vdekje.’ Kjo kurrë nuk kam qenë unë", tha ajo. "Dhjetë njerëz vdiqën atë ditë në një mënyrë të egër, në një mënyrë të tmerrshme, të llahtarshme dhe traumatike." Sipas saj, jeta e djalit të saj, që sot është 25 vjeç, dhe e dy të mbijetuarve të tjerë ka ndryshuar përgjithmonë.
Sulmi ndodhi më 14 maj 2022. Gendron, atëherë 18 vjeç, udhëtoi mbi 320 kilometra nga shtëpia e tij në Conklin, një qytezë rurale me shumicë të bardhë, deri në Buffalo. Te supermarketi Tops Friendly Market ai qëlloi rreth 60 herë me një pushkë gjysmautomatike mbi punonjës dhe blerës. Të gjithë të vrarët ishin me ngjyrë, të moshës nga 32 deri në 86 vjeç. Mes tyre ishin Aaron Salter, një ish-polic i Buffalos në pension që punonte si roje sigurie, dhe Heyward Patterson, dhjak në një kishë. Pamjet video treguan se Gendron i kërkoi falje një punonjësi të bardhë të dyqanit pasi e plagosi në këmbë. Ai iu dorëzua policisë teksa po dilte nga supermarketi.
Hetuesit gjetën postime të mëparshme në rrjetet sociale dhe shkrime të tjera të Gendronit, kushtuar planifikimit të një sulmi që synonte t'i trembte njerëzit jo të bardhë dhe jo të krishterë që të largoheshin nga Shtetet e Bashkuara. Ai promovonte të ashtuquajturën "teori të zëvendësimit të madh", një tezë pa asnjë bazë. Sulmi konsiderohet si të shtënat më vdekjeprurëse të motivuara nga urrejtja ndaj njerëzve me ngjyrë, të kryera nga një person i vetëm, në shekullin e fundit. Në vitin 2015, në Charleston të Karolinës së Jugut, një tjetër i armatosur i bardhë kishte vrarë nëntë besimtarë me ngjyrë në një kishë.
Konteksti më i gjerë mbetet shqetësues. Sipas Brian Levinit, analist i krimeve të urrejtjes pranë Shoqatës së Organizatave të Marrëdhënieve Njerëzore të Kalifornisë, njerëzit me ngjyrë kanë qenë çdo vit "objektivi numerik nr. 1" që kur FBI nisi të mbledhë të dhëna në vitin 1991. Rekordi u shënua në vitin 1996, me 3.670 incidente të njëanshmërisë kundër tyre. Të dhënat e FBI-së të publikuara në gusht tregojnë se agjencitë e zbatimit të ligjit raportuan mbi 2.800 incidente krimesh urrejtjeje kundër njerëzve me ngjyrë në vitin 2025, gati trefishi i atyre që kishin në shënjestër latinët, ndonëse numri i përgjithshëm i krimeve të urrejtjes ra me 7% nga viti 2024 në 2025.
Gurë kalldrëmi të shkulur nga Parku Rinia, gaz lotsjellës dhe mbi 100 të arrestuar: protestat kundër qeverisë në Shqipëri hynë në ditën e shtatë pa asnjë shenjë qetësimi. Kryeministri Rama i quan pjesë të një sulmi të koordinuar, ndërsa protestuesit fajësojnë policinë për dhunën.

