Ndërsa shërbente prej më shumë se nëntë muajsh në portaeroplanmbajtësen USS Abraham Lincoln, marinari Joshua Aviles mori telefonatën se i ati ishte marrë nga autoritetet amerikane të imigracionit pas një kontrolli automjeti në Key West të Floridës.

Një telefonatë e vetme e mbërritur në mes të një misioni ushtarak nëntëmujor në Lindjen e Mesme i tregoi marinarit amerikan Joshua Aviles se babai i tij ishte ndaluar nga autoritetet federale të imigracionit në Shtetet e Bashkuara.
Sipas një zëdhënësi të Departamentit amerikan të Sigurisë Kombëtare (DHS), policia kufitare arrestoi Luis Manuel Aviles Roan, me origjinë nga Nikaragua, pasi ndaloi automjetin e tij në Key West të Floridës. Deklarata u bë të dielën.
Djali i tij, Joshua Aviles, i cili shërben në portaeroplanmbajtësen USS Abraham Lincoln, e bëri publike ndalimin me një postim: "Kam qenë i dislokuar për më shumë se nëntë muaj, në det në Lindjen e Mesme, në bordin e USS Abraham Lincoln, duke luftuar për një vend që më ka dhënë gjithçka", shkroi ai, duke shtuar: "Sapo mora një telefonatë se babai im u mor nga ICE-ja."
Marinari tha se i ati kishte me vete patentën e drejtimit, kartën e sigurimeve shoqërore dhe lejen e punës. "Kemi bërë gjithçka përmes imigracionit që t'i miratohet green card-a dhe thjesht po presim. Kjo është zemërthyese për mua. Nuk e di si mund të vazhdoj mendërisht të punoj 12+ orë në ditë duke ditur se babai im është diku, ndoshta duke u trajtuar si kriminel", tha ai.
DHS-ja deklaroi se Luis Manuel Aviles Roa ka hyrë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara dhe se do të mbetet në qendrat e ndalimit të Shërbimit të Imigracionit dhe Doganave (ICE) në pritje të procedurave të dëbimit. "Të kesh një anëtar të familjes në ushtri nuk është një leje falas për të shkelur ligjet e vendit tonë", tha DHS-ja.
Rasti bie në një kontekst ku organizata të të drejtave të njeriut pohojnë se fushata e ashpër ndaj imigracionit nën presidentin Donald Trump ka cenuar lirinë e shprehjes dhe të drejtat për proces të rregullt ligjor, duke krijuar një mjedis të pasigurt, sidomos për pakicat etnike, të cilat kanë ngritur shqetësime për profilizim racor.
Vetë anija ku shërben Aviles është në qendër të një debati tjetër. USS Abraham Lincoln u largua nga Lindja e Mesme të shtunën, pas më shumë se 200 ditësh pa asnjë ndalesë në port, një rekord i kohëve moderne për ditë të njëpasnjëshme në det, sipas ligjvënësve demokratë. Ata kanë kërkuar përgjigje pasi familjarët e marinarëve ngritën shqetësime për kushtet e këqija të jetesës dhe moralin në bord.
Javën e kaluar në Lindjen e Mesme mbërriti portaeroplanmbajtësja USS George Washington, e cila pritet të zëvendësojë USS Abraham Lincoln.
Gurë kalldrëmi të shkulur nga Parku Rinia, gaz lotsjellës dhe mbi 100 të arrestuar: protestat kundër qeverisë në Shqipëri hynë në ditën e shtatë pa asnjë shenjë qetësimi. Kryeministri Rama i quan pjesë të një sulmi të koordinuar, ndërsa protestuesit fajësojnë policinë për dhunën.

