Një polic që iu përgjigj thirrjes për një adoleshent në krizë mendore doli në pension pa u përballur me gjykimin disiplinor. Tani kryebashkiaku i Nju Jorkut kërkon rishikimin e parë të plotë të përdorimit të forcës nga policia në një dekadë.

Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Zohran Mamdani, i ka urdhëruar Departamentit të Policisë së qytetit (NYPD) të kryejë një rishikim gjithëpërfshirës të politikave dhe procedurave për përdorimin e forcës. Urdhri u dha javën e kaluar dhe detajet i bëri publike të dielën një zëdhënës i Bashkisë, e cila e quan atë "rishikimin e parë gjithëpërfshirës i përdorimit të forcës nga NYPD-ja në një dekadë".
Rishikimi vjen bashkë me disa masa të reja llogaridhënieje për policët e akuzuar për forcë të tepruar. Njëra prej tyre, sipas zëdhënësit, është tashmë në zbatim brenda NYPD-së: ajo do ta bëjë më të vështirë që një polic të dalë në pension me pensionin e departamentit përpara se procesi disiplinor ndaj tij të ketë marrë fund. Sipas Bashkisë, Mamdani e kishte njoftuar policinë më herët gjatë javës se donte një rishikim të thellë, që do të vlerësonte edhe ndeshjet e policëve me persona që kalojnë kriza të shëndetit mendor.
Pikërisht ky është thelbi i rastit që ka rikthyer debatin. Në vitin 2024, Win Rozario, një adoleshent nga Queens, u qëllua për vdekje me pesë plumba nga policia gjatë një emergjence të shëndetit mendor, pasi familja e tij kishte thirrur numrin 911. Të enjten e kaluar, në një konferencë për shtyp, familja deklaroi se administrata e Mamdanit i kishte "tradhtuar", duke e lejuar njërin nga policët që iu përgjigjën thirrjes, Salvatore Alongin, të dalë në pension invaliditeti përpara se të përballej me një gjykim disiplinor.
Komisionerja e NYPD-së, Jessica Tisch, pranoi në një deklaratë se kishte pasur "gabim njerëzor" nga një punonjës i paidentifikuar i departamentit. Ky punonjës nuk e kishte sinjalizuar kërkesën e Alongit për pension te Bordi Civil i Shqyrtimit të Ankesave (CCRB), organi i cili po niste akuzat për forcë të tepruar ndaj tij. "Kur bëjmë një gabim, duhet ta pranojmë", tha Tisch, duke kërkuar falje. Deklarata e saj, megjithatë, i zemëroi prindërit e Rozarios.
Një zëdhënës i NYPD-së tha se departamenti e ka rindërtuar sistemin e njoftimeve dhe se në raste të ngjashme në të ardhmen kërkesat për pension do të "pezullohen", ndërsa procedurat disiplinore do të përshpejtohen për të shmangur përsëritjen. Sipas tij, punonjësi që nuk e njoftoi CCRB-në është ulur në detyrë me shkurtim page dhe nuk ka më përgjegjësi mbi çështjet disiplinore.
Në deklaratat e shkruara të Mamdanit lidhja me këtë rast duket e qartë: "Kemi një detyrim ndaj familjes së Win-it dhe ndaj çdo njujorkezi që kërkon ndihmë në një moment krize. Ky rishikim synon të sigurojë që politikat tona ta pasqyrojnë këtë përgjegjësi, që policët tanë të kenë udhëzimet dhe trajnimin që u nevojiten dhe që njujorkezët dhe familjet e tyre të mund të besojnë se qyteti i tyre do t'i trajtojë me kujdes dhe dinjitet."
Në planin penal, rasti është mbyllur. Në dhjetor 2025, Zyra për Hetime Speciale (OSI) pranë Prokurorit të Përgjithshëm të shtetit të Nju Jorkut vendosi të mos ngrinte akuza penale ndaj dy policëve që qëlluan Rozarion. Sipas OSI-së, provat, përfshirë pamjet nga kamerat trupore, treguan se i riu iu afrua policëve me një palë gërshërë dhe refuzoi urdhrat për t'i hedhur ato. Zyra arriti në përfundimin se "një prokuror nuk do të ishte në gjendje të hidhte poshtë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se veprimet e policëve ishin të justifikuara sipas ligjit të shtetit të Nju Jorkut".
Sindikata e policisë (PBA) e pret me skepticizëm nismën e kryebashkiakut dhe e cilëson atë thjesht si një lëvizje për të fituar pikë te mbështetësit e tij kundër policisë. Zëdhënësi i PBA-së, Patrick Hendry, tha se Mamdani duhet të rishikojë edhe mënyrën se si CCRB-ja i interpreton politikat e përdorimit të forcës, të cilën e quajti "interpretim haptazi të njëanshëm". "Ia kemi sjellë në vëmendje kryebashkiakut dhe ekipit të tij disa shembuj të njëanshmërisë kundër policisë dhe kemi parë zero veprime kuptimplota", tha Hendry. "Baza radikale e kryebashkiakut kërkon çmontimin e plotë të NYPD-së dhe është e qartë se ky njoftim është një përpjekje për ta qetësuar atë." NYPD-ja nuk pranoi të komentonte urdhrin e kryebashkiakut dhe ia kaloi pyetjet Bashkisë.
Njoftimi erdhi në një moment të tensionuar për Mamdanin. Në radhët e bazës së tij politike janë shtuar kritikat ndaj policisë pas të shtënave të së enjtes në Marble Hill, gjatë një operacioni të ICE-së, dhe pas mënyrës se si NYPD-ja i menaxhoi protestat që pasuan. Bashkia këmbëngul se ndryshimet ishin planifikuar dhe policia ishte njoftuar përpara asaj dite.
Të premten, dega e Nju Jorkut e organizatës Socialistët Demokratë të Amerikës (DSA) i kërkoi Mamdanit ta shkarkojë Tischin, nëse ajo nuk e detyron ICE-në të largohet nga qyteti, ndonëse nuk është e qartë se çfarë autoriteti do të kishte NYPD-ja për ta bërë këtë. Tisch këmbëngul se policia e qytetit nuk ishte e pranishme në momentin e të shtënave dhe nuk ishte e përfshirë në përpjekjet e ICE-së për të arrestuar O. B., një 28-vjeçar që agjencia e kërkonte, sipas raportimeve, për përfshirje të dyshuar në një bandë.
Në një intervistë për MS Now të dielën, Mamdani tha se ai dhe Tisch do ta shqyrtojnë reagimin e NYPD-së ndaj të shtënave dhe menaxhimin e protestave. Kryebashkiaku ka qëndruar në krah të komisioneres, duke deklaruar se nuk ka plane për ta zëvendësuar.
Gurë kalldrëmi të shkulur nga Parku Rinia, gaz lotsjellës dhe mbi 100 të arrestuar: protestat kundër qeverisë në Shqipëri hynë në ditën e shtatë pa asnjë shenjë qetësimi. Kryeministri Rama i quan pjesë të një sulmi të koordinuar, ndërsa protestuesit fajësojnë policinë për dhunën.

