Një komunë e dytë në Kosovë i del kundër Gjykatës Speciale me një deklaratë zyrtare. Kryetari Ekrem Kastrati thotë se historia e UÇK-së nuk ndryshohet nga asnjë aktgjykim.

Pas Skenderajt, edhe Malisheva ka vendosur të flasë me zë institucional. Kuvendi Komunal i Malishevës miratoi të martën Deklaratën kundër Gjykatës Speciale, duke u bërë kështu komuna e dytë që ndërmerr një hap të tillë.
Kryetari i komunës, Ekrem Kastrati, njoftoi se deklarata kaloi me unitet të plotë të anëtarëve të Kuvendit Komunal. Sipas tij, historia e UÇK-së nuk mund të ndryshohet nga asnjë aktgjykim, ndërsa lufta e saj ishte për lirinë dhe çlirimin e Kosovës.
Në qëndrimin e tij, Kastrati lidhi vendimin me sakrificën e vendorëve gjatë luftës: "Malisheva e njeh mirë çmimin e kësaj lirie, përmes dëshmorëve, martirëve, invalidëve, veteranëve dhe familjeve që sakrifikuan gjithçka për të. Prandaj, të bashkuar, nuk mund të pajtohemi me asnjë narrativë që synon ta njollosë karakterin çlirimtar të UÇK-së dhe sakrificën e popullit tonë. UÇK-ja është dhe do të mbetet krenaria jonë kombëtare!"
Me miratimin në Malishevë, deklarata kundër Speciales ka marrë tashmë mbështetjen e dy kuvendeve komunale; i pari ishte ai i Skenderajt.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

