Analisti Agon Maliqi e quan aktgjykimin e Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së një nga ngjarjet më traumatike politike të Kosovës bashkëkohore, duke thënë se gjykata identifikoi viktima, por nuk e atribuoi saktë përgjegjësinë.

Vendimi i Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka nxitur një valë reagimesh në skenën politike vendore dhe një nga vlerësimet më të ashpra vjen nga opinionisti Agon Maliqi, i cili e cilëson aktgjykimin si një nga ngjarjet më traumatike në historinë politike bashkëkohore të Kosovës.
Sipas Maliqit, mënyra se si gjykata ka interpretuar strukturën komanduese të UÇK-së dhe ka trajtuar luftën brenda shqiptarëve ka rikthyer polarizimin në shoqërinë kosovare dhe ka shkaktuar indinjatë të madhe.
"Është një prej ngjarjeve ndoshta më traumatike politike në historinë tonë politike bashkëkohore. Fakti që kanë rënë akuzat për krime kundër njerëzimit ka qenë pozitiv. Mirëpo, në njëfarë forme, Gjykata e ka rihapur dhe e ka gjykuar luftën brendashqiptare, duke e rikthyer edhe atë polarizimin tonë të brendshëm", ka thënë Maliqi.
Indinjatën publike ai e lidh edhe me mënyrën se si është përcaktuar përgjegjësia për viktimat e identifikuara gjatë procesit.
"Absolutisht ka identifikuar viktima, mirëpo nuk e ka atribuar saktë përgjegjësinë. Mendoj që këtu duhet të jetë fokusi kryesor te mënyra se si e ka interpretuar dhe kriminalizuar aspektin organizativ të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe si e ka bërë ndërlidhjen mes atyre viktimave të identifikuara dhe atyre që janë dënuar", ka deklaruar ai.
Maliqi vlerëson po ashtu se Qeveria po përpiqet ta amortizojë reagimin publik ndaj aktgjykimit dhe po e trajton atë si një betejë politike të opozitës.
Si rrugëdalje nga situata, ai kërkon që i gjithë spektri politik në Kosovë, përfshirë LDK-në dhe partitë e tjera, të bashkohet rreth pyetjes nëse është vendosur drejtësi dhe nëse procesi gjyqësor ka qenë i rregullt nga pikëpamja ligjore.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

