Një ngarkesë makinerish u deklarua si e përdorur, por tabelat identifikuese treguan se ishin të vitit 2026. Dogana e Kosovës thotë se kështu u parandalua shmangia e 37,800 eurove në detyrime doganore.

Tabelat identifikuese në makineri e prishën llogarinë: viti i shënuar në to ishte 2026, ndërsa në dokumentet e importit malli figuronte si makineri të përdorura. Kjo mospërputhje, e konstatuar nga zyrtarët doganorë në Zyrën e Brendshme Doganore në Prizren, çoi te identifikimi i një shmangieje të detyrimeve doganore në vlerë prej 37,800 eurosh.
Sipas njoftimit të Doganës së Kosovës, parregullsitë u zbuluan gjatë procedurave të kontrollit dhe verifikimit të një importi, konkretisht në mënyrën se si ishte deklaruar dhe përshkruar malli. Deklaruesi kishte paraqitur se bëhej fjalë për makineri të përdorura dhe mbi këtë karakteristikë ishte llogaritur edhe çmimi i blerjes.
"Zyrtarët doganorë në Zyrën e Brendshme Doganore në Prizren, gjatë procedurave të kontrollit dhe verifikimit të një importi, kanë identifikuar parregullsi në deklarimin dhe përshkrimin e mallit. Gjatë verifikimit të dokumentacionit dhe gjendjes faktike të mallit, deklaruesi kishte deklaruar se bëhej fjalë për makineri të përdorura, ndërsa çmimi i blerjes ishte deklaruar mbi bazën e kësaj karakteristike. Megjithatë, gjatë kontrollit fizik dhe verifikimit të tabelave identifikuese të makinerive, zyrtari doganor ka konstatuar se makineritë ishin të vitit 2026, duke evidentuar mospërputhje ndërmjet të dhënave të deklaruara dhe gjendjes faktike të mallit", thuhet në njoftimin e Doganës.
Rasti është trajtuar si deklarim i pasaktë, në bazë të dispozitave të Kodit Doganor dhe të Akcizave nr. 08/L-247. Identiteti i deklaruesit nuk është bërë publik.
Dogana e Kosovës thekson se kontrollet dhe verifikimet e deklarimeve synojnë deklarim të saktë të mallrave, zbatim të legjislacionit në fuqi dhe konkurrencë të drejtë në treg, duke shtuar se do të vazhdojë me intensifikimin e kontrolleve dhe masave për parandalimin e evazionit fiskal dhe të deklarimeve të pasakta.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

