Ministri francez i Brendshëm, Laurent Nuñez, ofroi largimin pas fundjavës së trazirave, por presidenti Emmanuel Macron e mbajti në detyrë. Ai i kërkon tani metoda të reja për të ndalur plaçkitësit.

Presidenti francez Emmanuel Macron nuk e pranoi dorëheqjen që i ofroi ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez, pas trazirave të përhapura që tronditën Francën gjatë fundjavës. Vendimi vjen ndonëse krizën e kanë rënduar, sipas vlerësimeve, "dështime në parashikim dhe në zbulim".
Pallati i Elizesë sqaroi arsyen: Macron dëshiron që Nuñez të qëndrojë në post për të ruajtur zinxhirin e komandës brenda policisë dhe forcave të sigurisë, në një moment kur vendi ende përballet me pasojat e dhunës.
Mbajtja në detyrë nuk vjen pa kushte. Presidenti i ka kërkuar ministrit që sa më shpejt të gjejë qasje të reja ndaj plaçkitësve dhe të "vendosë metoda të reja operacionale për forcat e sigurisë", me synimin për ta vënë krizën nën kontroll.
Presioni mbi Nuñez-in u shtua edhe nga vetë fjalët e tij. Në një intervistë televizive të hënën, ministri pranoi se gjatë protestave policia "humbi kontrollin" në disa qytete.
E shtuna konsiderohet si një nga ditët më të dhunshme të trazirave në vite: ndërtesa publike u dogjën, qindra dyqane u shkatërruan dhe u plaçkitën, ndërsa të paktën 2.400 persona u arrestuan në qytete të ndryshme të vendit.
Në një fjalim drejtuar kombit një natë më parë, Macron kishte dënuar "dhunën e shfrenuar". "Duke parë këto pamje, të gjithë e kemi pyetur veten: si mund t'i bëjnë francezët këtë Francës?", tha ai.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

