Presidenti francez njoftoi një plan për mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe të objekteve më të ndjeshme të industrisë së mbrojtjes, duke thënë se sulmet hibride ruse ndaj Francës në javët e fundit nuk do të mbeten "pa përgjigje".

Nga salla e konferencave të Pallatit Elize, presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi se kërcënimi i sulmeve hibride ruse ndaj Evropës dhe ndaj Francës është intensifikuar, dhe se qeveria e tij ka marrë urdhër të hartojë një plan për mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe të objekteve të industrisë së mbrojtjes.
Sipas Macronit, Franca është goditur nga sulme hibride ruse gjatë javëve të fundit dhe këto nuk do të mbeten "pa përgjigje". "Në javët e fundit, kërcënimi hibrid rus ndaj evropianëve dhe ndaj Francës është intensifikuar", tha ai.
Presidenti francez e lidhi drejtpërdrejt këtë presion me luftën në Ukrainë. "Qëllimi është të na frikësojnë dhe të thyejnë përpjekjen tonë për të mbështetur Ukrainën. Rezultati do të jetë saktësisht i kundërt. Ne nuk jemi të frikësuar, sepse e dimë se siguria jonë sot dhe nesër është në lojë në Ukrainë", deklaroi Macron.
Ai foli para gazetarëve pas një takimi me udhëheqësit e partive, të përqendruar te ndikimi mbi sigurinë i luftërave në Lindjen e Mesme dhe në Ukrainë. Detyra e dhënë qeverisë, tha ai, është mbrojtja e infrastrukturës kritike dhe e objekteve "më të ndjeshme" të industrisë dhe teknologjisë së mbrojtjes ndaj sulmeve me dronë dhe atyre kibernetike.
Me termin luftë hibride ose sulme hibride përshkruhen metoda joushtarake, si sulmet kibernetike, sabotazhi apo dezinformimi, të menduara për të ushtruar presion dhe për të destabilizuar kundërshtarin. Shpesh ato kryhen përmes ndërmjetësve, ndërsa Rusia e mohon vazhdimisht përfshirjen, pavarësisht provave në rritje për të kundërtën.
Macron përmendi sulmin me dron të muajit të kaluar ndaj aeroportit të Lajpcigut në Gjermani, për të cilin fajësohet Rusia, si dhe deklaratat e kryeministrit polak Donald Tusk. Të enjten, Tusk u tha deputetëve polakë se planet ruse përfshijnë goditje me dronë dhe raketa ndaj vendeve që mbështetën Ukrainën. Ai foli për një "rrezik real" të goditjeve të tilla mbi territorin e vendeve të NATO-s, ku më pas Moska do të pretendonte se ato ishin "aksidentale", në një përpjekje për të përçarë aleancën.
Të dielën e kaluar, një dron rus goditi një tren pasagjerësh afër kufirit Ukrainë-Poloni, pak pasi ish-kryeministri britanik Boris Johnson dhe zyrtarë të lartë të sigurisë evropiane kishin kaluar në të njëjtën linjë. Ukraina njoftoi se të gjithë pasagjerët ishin evakuuar vetëm pak minuta para goditjes në Jahodin, e cila dëmtoi lokomotivën e trenit.
Një numër zjarresh të dyshimta janë regjistruar gjithashtu në objekte të mbrojtjes nga Italia deri në Estoni, ku disa nga vendet e prekura ia kanë atribuuar përgjegjësinë Rusisë. Gjithnjë e më shumë udhëheqës evropianë paralajmërojnë se Rusia mund të jetë duke përgatitur sulme për të testuar vendosmërinë e tyre në mbështetjen e Ukrainës.
Presidenti rus Vladimir Putin ka thënë vazhdimisht se Rusia nuk planifikon të sulmojë Evropën. Ndërkaq, ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov i paralajmëroi shtetet evropiane të mos dërgojnë trupa në Ukrainë, çka, sipas tij, do të shihej nga Rusia si shpallje lufte. "Nëse Evropa e sulmon Rusinë, do të jetë një luftë krejtësisht ndryshe dhe do të jetë shumë e shkurtër", tha Lavrov.
Të premten, Moska përsëriti paralajmërimin ndaj Mbretërisë së Bashkuar se çdo objekt ushtarak britanik në Ukrainë i përdorur për të goditur territorin rus përbën "objektiv legjitim". Rusia tha se rezervon të drejtën të marrë "kundërmasat e nevojshme" si përgjigje ndaj "qëndrimit ashpër konfrontues lidhur me Ukrainën" nga ana e Londrës, duke iu referuar furnizimit me dronë dhe sisteme të tjera armësh për Kievin.
Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në vitin 2022.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

