Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, mblodhi në Tiranë deputetin dhe tre drejtuesit institucionalë shqiptarë nga Lugina e Preshevës, duke e nisur sezonin e ri diplomatik me çështjen e të drejtave të shqiptarëve në Serbi.

Katër emrat kryesorë të përfaqësimit shqiptar në Luginën e Preshevës u ulën sot në një tryezë në Tiranë, përballë ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha. Në takim morën pjesë deputeti në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, dhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Enkel Rexhepi.
Në qendër të bisedës, sipas Hoxhës, ishin mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve, ruajtja e identitetit dhe forcimi i përfaqësimit të tyre me fuqi reale në jetën politike dhe institucionale të Serbisë, si dhe nevojat konkrete të qytetarëve të Luginës. Ai e cilësoi bisedën të drejtpërdrejtë, vëllazërore dhe përmbajtësore.
"Përfaqësimi real dhe i denjë, ruajtja dhe forcimi i identitetit kombëtar, arsimimi, zhvillimi ekonomik dhe mundësitë për të rinjtë nuk janë çështje episodike. Ato kërkojnë vëmendje të vazhdueshme, bashkërendim dhe veprim konkret", deklaroi ministri Hoxha.
Takimi u paraqit prej tij si nisje e një etape të re pune. "Në përfundim të një vere të shkurtër, pata kënaqësinë të zhvilloj sot një takim pune me drejtuesit e institucioneve dhe të zgjedhurit shqiptarë në Luginën e Preshevës", tha Hoxha, duke shtuar se sezoni i ri diplomatik po fillon me një nga përparësitë e qëndrueshme të veprimit diplomatik të Shqipërisë: të drejtat e shqiptarëve.
Mesazhi përmbyllës i ministrit ishte një angazhim politik: "Shqipëria do të vijojë të jetë pranë shqiptarëve të Luginës së Preshevës, me angazhim, dialog dhe mbështetje konkrete".
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

