Prishtina e kishte fituar organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, por tani fati i tyre do të vendoset në Asamblenë e Jashtëzakonshme që ICMG mund të thërrasë më 19 dhjetor. Kryetari Përparim Rama ia hedh fajin Qeverisë Kurti.

Kosova mund të mbetet pa Lojërat Mesdhetare 2030, ngjarjen që Prishtina e kishte fituar për ta organizuar. Alarmin e ngriti sot kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili fajin e hodhi drejtpërdrejt te Qeveria e kryeministrit Albin Kurti.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama iu referua një letre të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG) dërguar Kosovës. Sipas tij, komiteti ka konfirmuar se nga institucionet nuk ka pasur përgjigje. "Ajo që kemi paralajmëruar vazhdimisht, sot po konfirmohet zyrtarisht nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG)!", shkroi ai.
Data që mund ta vendosë gjithçka është 19 dhjetori. Sipas Ramës, atë ditë ICMG do të shqyrtojë situatën dhe do të procedohet me thirrjen e një Asambleje të Jashtëzakonshme, e cila do të vendosë për të ardhmen e Lojërave. "Kjo është humbja ma e madhe për Kosovën dhe qytetarët e saj!", shtoi kryetari i kryeqytetit.
Rama i ndau qartë përgjegjësitë mes Komunës dhe Qeverisë. Sipas tij, Prishtina e ka kryer pjesën e saj: masterplani është hartuar, projektet dhe lokacionet janë përcaktuar dhe janë votuar në Asamblenë e Kryeqytetit. Hapat e mëtejshëm, thotë ai, i takojnë Qeverisë qendrore dhe Komitetit Organizativ, në krye të të cilit, sipas tij, qëndron vetë kryeministri Kurti.
"Prishtina i ka fituar Lojërat Mesdhetare 2030, e kemi punuar në Masterplan, i kemi përcaktuar projektet dhe lokacionet, i kemi votuar në Asamblenë e Kryeqytetit. Tash, kur është radha e Qeverisë qendrore dhe Komitetit Organizativ, në krye të të cilit Albin Kurti e ka vendosur vetveten, si asnjë shtet tjetër, Kosova po rrezikon ta humbasë këtë mundësi historike!", shkroi Rama.
Deri në mbledhjen e 19 dhjetorit, pyetja nëse Prishtina e ruan të drejtën për të qenë nikoqire e Lojërave Mesdhetare 2030 mbetet pa përgjigje.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

