Një klik mbi një kod që dukej si përditësim mjaftoi që një agjent i patundshmërive në Prishtinë të humbiste kontaktet e ndërtuara prej vitesh. Rastet shtohen, ekspertët flasin për qindra llogari të prekura, ndërsa institucionet ende nuk japin shifra.

Ishte mëngjesi i 5 shtatorit kur pronari i një kompanie të patundshmërive në Prishtinë hapi WhatsApp-in për të parë bisedat me klientët, si çdo ditë. Brenda pak minutash pranoi disa kode e njoftime që, sipas tij, dukeshin si përditësim i aplikacionit. I klikoi. Pastaj llogaria nuk ishte më e tij.
Me të iku edhe rrjeti i kontakteve që kishte ndërtuar prej vitesh. Përmes aplikacionit ai u dërgonte qindra klientëve oferta, video dhe informacione për prona. Ndonëse e bëri publike humbjen e qasjes, thotë se mesazhet e klientëve nuk i mbërritën më dhe marrëdhëniet me ta u dëmtuan. Nuk arriti ta hapë llogarinë në një telefon tjetër, i ka shkruar pandërprerë shërbimit mbështetës të WhatsApp-it, por qasjen nuk e ka rikthyer. Tani punon me një numër të ri.
Një biznesmen që vepron në fushën e guroreve tregon një skenar tjetër, por me të njëjtin përfundim. Për dy-tri javë i vinin njoftime se dikush po përpiqej ta aktivizonte llogarinë e tij. Më pas llogaria u bllokua. Pas një kërkese për shqyrtim, iu lejua riaktivizimi, por sapo provoi të hynte, u bllokua sërish. Ai e përdorte WhatsApp-in edhe për komunikim me furnitorë jashtë vendit dhe frika e tij kryesore është çfarë mund të bëhet me përmbajtjen e shkëmbyer aty. "Po se aty ka pasë fatura, dokumente të ndryshme", thotë ai. Deri tani nuk ka dijeni që llogaria e tij të jetë përdorur për t'u shkruar kontakteve apo për ndonjë keqpërdorim dhe pret përgjigje nga shërbimi i WhatsApp-it për kujdesin ndaj konsumatorëve.
Rastet e tyre nuk janë të izoluara. Javët e fundit janë shtuar ankesat për bllokimin e llogarive, kryesisht atyre të biznesit. Një ekspert i sigurisë kibernetike thotë se raportimet e para kanë nisur rreth dy-tri muaj më parë, fillimisht nga llogari biznesesh. Vetë ai ka marrë mbi 100 mesazhe nga njerëz që kërkonin ndihmë për t'i rikthyer llogaritë, ndërsa kolegët e tij në Inteligjencën e Hapur të Kosovës (KOSINT), një organizatë që bashkon entuziastë të inteligjencës së hapur dhe ekspertë të kibernetikës, flasin për të paktën qindra raste të tjera.
Shifër zyrtare nuk ka. Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare (ARKEP), institucioni shtetëror që mbikëqyr komunikimet elektronike, ka reaguar ndaj fenomenit, por pa publikuar numrin e raportimeve. Njësia Nacionale për Siguri Kibernetike (KOS-CERT), që funksionon në kuadër të ARKEP-it, ka thënë në një njoftim zyrtar se po i analizon rastet e raportuara. Pyetjeve të Radio Evropës së Lirë për numrin e rasteve, natyrën e tyre dhe rezultatet e analizës teknike, ARKEP nuk u është përgjigjur.
Shkaku mbetet i paqartë dhe ekspertët deri tani mund të ngrenë vetëm hipoteza. E para lidhet me rrjetet telefonike: keqpërdorimi i protokollit SS7, një grup protokollesh ndërkombëtare të telekomunikacionit, përmes të cilit mund të ridrejtohen mesazhet që përmbajnë kodet e verifikimit.
Të dy operatorët telefonikë në Kosovë e mohojnë se problemi është tek ata. Vala, operatori shtetëror, thotë se ka pranuar shumë ankesa, por pretendon se sistemet e saj nuk janë burimi i problemit. IPKO, operatori privat, ka pranuar 13 raportime dhe thotë se nuk ka identifikuar asnjë cenueshmëri apo incident sigurie brenda sistemeve të veta. Të dy kompanitë kanë bërë thirrje publike me këshilla për parandalimin e keqpërdorimit të llogarive.
Hipoteza e dytë e kthen vëmendjen te Meta, kompania që zotëron WhatsApp-in: një dobësi e mundshme në procesin e verifikimit të identitetit të përdoruesit në platformën e saj.
Një detaj i ka tërhequr vëmendjen ekspertit: në disa raste, mesazhet për konfirmimin e llogarive ishin në gjuhën indoneze. Ai e sheh këtë si tregues të mundshëm të lidhjes me aktorë që më parë kanë zhvilluar fushata mashtruese ndaj përdoruesve në Kosovë, edhe pse gjuha e përdorur nuk e vërteton vetvetiu origjinën apo vendndodhjen e sulmuesve.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

