Policia e Shtetit thotë se e kapi në flagrancë duke u shitur protestuesve 30 llastiqe me sfera metalike. Kontrolli në magazinën e tij nxori në dritë mbi 450 pajisje të kontrabanduara, mes tyre 239 dronë.

Tridhjetë llastiqe gjuetie me sfera metalike, të shitura në mes të një proteste në Tiranë. Sipas Policisë së Shtetit, pikërisht nga ky moment nisi rruga drejt një magazine ku u gjetën mbi 450 pajisje dhe artikuj të kontrabanduar, nga dronë e detektorë deri te syze me videoregjistrues.
Në pranga ka përfunduar një 23-vjeçar banues në Tiranë, i identifikuar me inicialet O. M. Ai u arrestua pas konsultimit me prokurorin, në kuadër të operacionit të koduar "Infrastruktura", të finalizuar nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare. Sipas policisë, i riu u kap në flagrancë në rrugën "Tre Dëshmorët", ndërsa u shiste pjesëmarrësve në protestë 30 llastiqe gjuetie me sfera metalike, të cilat u sekuestruan si provë materiale.
Policia pretendon se llastiqet dhe sferat u shiteshin pjesëmarrësve në protestat e ditëve të fundit me qëllim që të goditeshin punonjësit e Policisë dhe institucionet. Operacioni, shpjegon policia, erdhi pas shfrytëzimit të menjëhershëm të informacioneve të mbledhura gjatë punës operative.
Hapi tjetër ishte kontrolli në një magazinë që i dyshuari posedonte në rrugën "Kol Koçi". Aty, sipas policisë, u gjetën edhe 75 llastiqe të tjera gjuetie dhe një sasi e konsiderueshme sferash metalike, por pjesën më të madhe të mallit e përbënin pajisjet elektronike: 239 dronë të madhësive të ndryshme, 44 celularë, 17 bateri të jashtme karikimi (powerbank), 10 pajisje për lokalizimin GPS të automjeteve, 3 drynë elektronikë me GPS dhe 5 pajisje K-68 për zbulimin e GPS-ve dhe kamerave.
Lista vazhdon me pajisje vëzhgimi e regjistrimi: një pajisje elektronike me antenë (detektor RFGS), 3 palë syze me videoregjistrues, pajisje DVR dhe 8 pajisje me kamera për automjete (blackbox). Mes artikujve të sekuestruar ishin gjithashtu 7 pajisje Bluetooth për automjete, 11 llamba LED, një kompresor, 8 elektrikë dore, 6 pajisje lazer, 2 priza inteligjente Xiaomi Smart Plug 2, 3 pajisje të tjera elektronike, 12 mausë kompjuteri, 7 pajisje me lojëra kompjuterike, 7 orë Watch 10 Pro Max dhe 8 çanta që hapen me gjurmë gishtash.
Sipas policisë, 23-vjeçari nuk kishte asnjë dokument për këto pajisje dhe artikuj.
Materialet procedurale i janë dërguar Prokurorisë për veprat penale "Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë", "Kontrabanda me mallra të tjera", "Fshehja e të ardhurave", "Mospagimi i taksave dhe tatimeve" dhe "Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm ose të parregjistruar në organet tatimore dhe moslëshimi i kuponit tatimor, dëftesës ose faturës tatimore". Policia bën të ditur se hetimi vijon për të dokumentuar veprimtarinë e të dyshuarit dhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

