Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simić, pohon se ai dhe disa përfaqësues të partisë janë ftuar nga departamenti për hetimin e terrorizmit në Prokurorinë Speciale në Prishtinë. Ai i mohon akuzat dhe thotë se do të paraqitet.

Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simić, deklaroi se ai dhe disa përfaqësues të tjerë të partisë kanë marrë ftesa nga Prokuroria Speciale në Prishtinë, e cila, sipas tij, i ngarkon me katër vepra penale.
Në një video të publikuar në Instagram, Simić tha se ftesat vijnë nga departamenti për hetimin e terrorizmit. Sipas tij, veprat për të cilat ngarkohen janë bashkimi me qëllim sulmi ndaj rendit kushtetues, rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare, sulmi ndaj personit zyrtar dhe pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale, si dhe huliganizmi. Ai nuk sqaroi se me cilën ngjarje lidhen këto ngarkime, ndërsa emrat e përfaqësuesve të tjerë të thirrur nuk u bënë publikë.
Simić i mohoi akuzat dhe e paraqiti thirrjen si presion politik. "Sa herë që ngremë zërin për vuajtjet e popullit serb, për shkeljen e të drejtave individuale dhe kolektive të serbëve që jetojnë në këto hapësira, vijnë disa ftesa të reja që synojnë të ushtrojnë presion jo vetëm mbi ne individualisht, por mbi gjithë popullin serb, dhe në këtë mënyrë të përpiqen që serbët të mos flasin për atë që po ndodh dhe që ne, si përfaqësues politikë të popullit serb, të frikësohemi", tha ai.
Ai e akuzoi prokurorinë për qasje të njëanshme, duke iu referuar asaj që e quajti "regjimi në Prishtinë". "Çfarëdo që të na ngarkojnë, ata e dinë mirë se ne këtë nuk e kemi kryer, por duan të na frikësojnë. Është paradoksale që ndërsa regjimi në Prishtinë shkel të gjitha rregullat e mundshme kundër popullit serb, kur nuk respektojnë as kushtetutën as brenda institucioneve, kur nuk thërrasin seancat e Kuvendit, kur arrestojnë serbë pa asnjë arsye, kur në çdo mënyrë të mundshme përpiqen t'i përndjekin serbët nga këto hapësira, atëherë prokuroria nuk reagon", deklaroi Simić.
Pavarësisht kësaj, ai tha se do t'i përgjigjet ftesës, siç ka bërë edhe disa herë më parë, sepse, sipas tij, nuk kanë asgjë për të fshehur dhe përfaqësuesit politikë janë të detyruar të qëndrojnë pranë popullit të tyre. Simić shtoi se serbët, si përfaqësues politikë, nuk e kanë luksin të mos u përgjigjen thirrjeve të prokurorisë, ndryshe nga përfaqësuesit politikë shqiptarë.
"Nuk kemi çfarë të fshehim, e dimë se nuk kemi kryer asnjë vepër penale, por nga ana tjetër, po shkoj në seancën e dëgjimit sepse e di që dikush duhet t'ua thotë edhe në fytyrë atë që është e vërteta, e ajo është se populli serb vuan në këto hapësira dhe dëshiron të jetojë në paqe", përfundoi ai.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

