PDK-ja kërkon që ndryshimi i ligjit për Gjykatën Speciale të kthehet menjëherë në Kuvend, por kryeministri Albin Kurti thotë se pret mendimin ligjor dhe paralajmëron: "Nuk na falen më gabimet". Në sfond, më pak se një javë ndan Kosovën nga afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit.

Projektligji që synon të ngushtojë juridiksionin e Gjykatës Speciale ndodhet ende në zyrat e Qeverisë, ndërsa Kosova po hyn në ditët e fundit para afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka shpallur këtë ndryshim "prioritet të prioriteteve", siç e cilësoi kryetari i saj, Bedri Hamza, kurse kryeministri Albin Kurti thotë se çështja "është tejet e rëndësishme, por nuk bën të bëjmë gabime".
Presioni u rrit pas aktgjykimit të shkallës së parë të 16 shtatorit, me të cilin Gjykata Speciale (Dhomat e Specializuara) i dënoi katër ish-krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, me gjithsej 81 vjet burgim. Vendimi nuk është i formës së prerë, por në Kosovë u konsiderua gjerësisht si i padrejtë. Të hënën, Kuvendi miratoi një deklaratë ku e quan të papranueshëm përfundimin e trupit gjykues për "ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal".
Që nga dita e aktgjykimit, në Prishtinë protestohet çdo natë. Organizatorët u kanë drejtuar Qeverisë dhe Presidencës katër kërkesa, mes tyre shfuqizimin ose ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara.
Çfarë propozon PDK-ja
PDK-ja e dorëzoi projektligjin në Kuvend më 21 shtator. Teksti kërkon që juridiksioni i Gjykatës Speciale të kufizohet vetëm te veprat penale të përmendura në raportin e vitit 2011 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, raport që trajtonte, ndër të tjera, pretendimet për trafikim organesh pas luftës.
Propozimi ndryshon edhe periudhën kohore që mbulon gjykata: në vend të intervalit nga janari 1998 deri në dhjetor 2000, ai parasheh periudhën nga 1 korriku 1999 deri në dhjetor 2000. Juridiksioni territorial do të kufizohej te veprat e kryera brenda territorit të Kosovës, ndërsa projektligji parashikon gjithashtu procedura të përshpejtuara për verifikimin e juridiksionit dhe të drejtën e ankesës në Gjykatën Supreme të Kosovës në Prishtinë.
Kurti: procedurë e rregullt
Qeveria e pranoi projektligjin për mendim më 25 shtator dhe ka 30 ditë kohë për t'iu përgjigjur Kuvendit. Pas mbledhjes së djeshme të Qeverisë, Kurti shpjegoi se dokumenti fillimisht shkoi te zyra ligjore në Kryeministri, e cila më pas kërkoi mendim nga zyra ligjore e Ministrisë së Drejtësisë dhe nga Departamenti për Buxhet në Ministrinë e Financave.
"Prej informimeve që i kam deri më tani, edhe nga ministritë përkatëse, brenda kësaj jave do ta kemi përgjigjen, edhe si mendim të zyrës ligjore të Ministrisë së Drejtësisë. Mandej do t'ia japim përgjigjen Kuvendit, dhe aty do të vazhdojë më tutje procedura", tha kryeministri. Ai e mbrojti ritmin e Qeverisë: "Kjo është procedura e rregullt qysh bëhet me secilën iniciativë ligjore".
Për Kurtin, mbrojtja shtetërore e ish-krerëve të UÇK-së kërkon kujdes të veçantë. "Nuk na falen më gabimet. Nëse gabon rregullisht, diçka qenësore nuk është në rregull", deklaroi ai.
Në PDK durimi po shteron. Shefi i Grupit Parlamentar të partisë, Arian Tahiri, kërkoi të martën që procedura të nisë sa më parë dhe ligji të rikthehet pa vonesë në sallën e Kuvendit. "Ligji tashmë është në Qeveri. Kuvendi e ka kryer punën e vet. I bëjmë thirrje që ta kthejë sa më shpejt në Kuvend", tha Tahiri.
Ora e Presidentit
Koha nuk luan në favor të askujt. Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar në një aktgjykim të fundit se afati për zgjedhjen e Presidentit "përfundon më 6 tetor 2026". Nëse deri atëherë nuk zgjidhet kreu i shtetit, Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe vendi shkon në zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.
Kurti paralajmëroi takime me liderët e partive të tjera parlamentare, por nuk hapi derë për ndonjë emër të ri. Ai rikthehet te Bekim Sejdiu, edhe pse ky i fundit u tërhoq vetë nga kandidatura më 14 shtator. "Sa i përket kandidatit, ne e kemi kandidatin. Kandidati është profesor Bekim Sejdiu nga marrëveshja", tha kryeministri në konferencë për media, duke shtuar se "nga pikëpamja e Lëvizjes Vetëvendosje, ne kemi marrëveshje politike dhe unë besoj që duhet ta respektojmë atë".
Marrëveshja për Sejdiun ishte arritur mes Kurtit dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhikut. Vetëm një ditë më pas, në mbledhjen e grupit parlamentar të LDK-së, të paktën gjashtë deputetë të kësaj partie u shprehën kundër saj, duke e bërë zgjedhjen e tij një çështje të vështirë për t'u zgjidhur.
"Nuk kemi emër të ri ose tjetër. Nëse ky do të jetë rasti në të ardhmen, natyrisht që do të njoftoheni", tha Kurti, ndërsa afati kushtetues vazhdon të ngushtohet.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

