Projektligji që ndryshon Ligjin për Dhomat e Specializuara kaloi në lexim të parë, por votimi i dytë nuk ndodhi. Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ia ngarkon fajin Vetëvendosjes dhe kërkon seancë urgjente.

Ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara nuk u votuan në lexim të dytë, dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, e ka drejtuar gishtin pa ekuivoke nga Vetëvendosja, partia shumicë në pushtet. Për të, problemi nuk është juridik, por politik.
"Nuk ka pengesa përveç mungesës së vullnetit të partisë shumicë në pushtet. Është mungesë e vullnetit politik, është një kontribut për destabilizimin e vendit, dhe është një çështje që s’po dojnë me kry", deklaroi Hamza.
Kërkesa e PDK-së, sipas tij, është që Kuvendi të thirret menjëherë në seancë dhe projektligji të kalojë leximin e dytë. Hamza e mbështet argumentin te fakti se teksti tashmë është miratuar në lexim të parë. "Kërkesa jonë është e qartë: të thirret seanca, ligji të votohet në lexim të dytë. Nuk ka asnjë vështirësi, asnjë pengesë. Nëse ka pasur çfarëdo pengese apo dileme, pse ka kaluar në lexim të parë?", tha ai.
Deklaratat u dhanë para mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, ku Hamza pohoi se deri në atë moment nuk kishte pasur asnjë komunikim me palën tjetër. Ai iu drejtua drejtpërdrejt kryeministrit Albin Kurti, kryetares së Kuvendit, Haxhiu, dhe deputetëve: "I bëj ftesë Kurtit, Kuvendit dhe Haxhiut që ta thërrasin seancën, të na thërrasin deputetëve dhe ta aprovojmë ligjin në lexim të dytë".
Kryetari i PDK-së e ndau qartë votimin e ligjit nga çështja e zgjedhjes së presidentit. Sipas tij, renditja është e thjeshtë: "Presidenti është e ndarë. Kryhet ligji në lexim të dytë, atëherë vijnë çështjet e tjera".
Hamza nuk e sheh të pashmangshme shkuarjen në zgjedhje dhe tha se Vetëvendosja ka pasur mundësi bashkëpunimi që nuk i ka shfrytëzuar. "Ka pas opsione. S’po të pëlqen me PDK, bone me LDK-në. Po me LDK-në s’po më pëlqen, me PDK-në s’po më pëlqen. Me LDK-në ni palë kritere të tjera, me PDK kritere tjera. Është përgjegjëse për situatën e krijuar në vend", u shpreh ai.
Pakënaqësia u ndje edhe nga radhët e Aleancës. Deputeti Besnik Tahiri reagoi para mediave në sheshin përballë Kuvendit, pasi seanca u ndërpre. Ai tha se deputetët kishin kaluar 22 pika të rendit të ditës dhe se nuk e kuptonte arsyen e ndërprerjes, e cila ende nuk është sqaruar. "Na ka pre në besë", tha Tahiri, duke shtuar se, pas 22 pikave, iu tha "që nuk ka më seancë". "Jam këtu me pa se cila është mënyra, a është kush brenda", vijoi ai.
Tahiri këmbënguli se dita e djeshme ishte afati i fundit për të vepruar. "Sot është dita e fundit. Arsyeja se pse duhet me ndodh votimi, kushdo që ka një tro logjikë, mas pari normal, e dyta që frymon dhe mendon shqip", deklaroi ai.
Sipas tij, miratimi i ligjit do të ishte një mesazh mbështetjeje për ata që ndodhen në një situatë të vështirë. "I kem katër burra që presim një ligj bre me kalu, një dorë me çu dhe prej aty me ia dhanë një shpresë se qiky vend, qiky pushtet ju rrin mbrapa në një rrethanë shumë të vështirë", tha Tahiri.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

