Shoqëria civile i kërkon Avokatit të Popullit të testojë në Kushtetuese nëse gjykata në Hagë e ka tejkaluar mandatin ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Naim Qelaj nuk e ka marrë ende vendimin, por rikthen në vëmendje shqetësimet e raportit të tij për gjykimin e drejtë.

Një numër i madh organizatash të shoqërisë civile, intelektualësh dhe aktivistësh për të drejtat e njeriut i ka kërkuar Avokatit të Popullit, Naim Qelaj, ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Qëllimi i tyre: të vlerësohet nëse gjykata me seli në Hagë e ka tejkaluar mandatin e saj në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Qelaj, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se kërkesa është pranuar para pak ditësh dhe se me parashtruesit është mbajtur edhe një takim për t'i diskutuar bashkë shqetësimet e ngritura. Institucioni, sipas tij, ndodhet ende në fazën e vlerësimit dhe shqyrtimit. „Mendoj se është një fazë e hershme për të konsideruar se cili do të jetë qëndrimi im në raport me këtë kërkesë të parashtruar“, u shpreh ai, duke shtuar: „Natyrisht, kur është në interes të drejtësisë dhe kur është në interes të respektimit të të drejtave të njeriut, unë jam shumë i gatshëm të veproj në interes të këtyre dy çështjeve“.
Avokati i Popullit vuri një vijë të qartë ndarëse për rolin e institucionit që drejton: ai nuk vlerëson vendimet gjyqësore, por procesin dhe respektimin e standardeve për një gjykim të drejtë e të paanshëm. „Avokati i Popullit është i prirur të mos japë vlerësime lidhur me vendimmarrjen e gjykatës“, tha Qelaj.
Pikërisht te procesi, raporti i Avokatit të Popullit për Dhomat e Specializuara, i publikuar para shpalljes së vendimit gjyqësor, kishte konstatuar shumë shqetësime. Sipas Qelajt, ato nisin nga mungesa e transparencës dhe e llogaridhënies së gjykatës, si dhe nga fakti që gjykata nuk e lidh punën e vet me asnjë segment të sistemit të drejtësisë ose të shtetit në Republikën e Kosovës. Raporti kishte evidentuar gjithashtu paraburgimin që, sipas tij, ka zgjatur përtej standardeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, si dhe administrimin e provave nga Serbia pa një filtër verifikimi, pa marrë parasysh qëndrimet armiqësore të Serbisë ndaj Kosovës dhe ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Qelaj argumentoi se këto shqetësime fituan peshë të re pasi doli një vendim që, sipas tij, në masë të madhe nuk e kënaq popullatën. „Me një fjalë, nuk mund të presim që rezultatet e një procesi të komprometuar ose të një procesi me kaq shumë probleme të jenë vendime që publiku i beson“, tha ai.
Reagimi i publikut u pasua nga veprime konkrete në Kuvendin e Republikës së Kosovës, i cili miratoi ndryshime në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Qelaj e mbrojti të drejtën e ligjvënësve: „E para, nuk duhet të kontestohet asnjëherë e drejta e Kuvendit për të nxjerrë dhe ndryshuar ligje“. Megjithatë, ai ngriti dilema për efektin juridik të ndryshimeve dhe për përputhshmërinë e tyre me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës, duke kujtuar se gjykata mbështetet në një amendament të veçantë të Kushtetutës, pra në norma kushtetuese që përcaktojnë edhe format e themelimit, edhe mënyrën e funksionimit të saj.
Për Avokatin e Popullit, fjala e fundit për drejtësinë e procesit i takon Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara, ndërsa vendimet duhet të respektohen deri në vendimin e shkallës tjetër. „Ajo që është e rëndësishme në këtë fazë, që të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës ta kenë parasysh, është fakti që beteja për drejtësi vendoset në gjykatë dhe të gjitha vendimet që merren nga gjykata, qofshin të pranueshme ose jo, duhet të respektohen derisa të merret vendimi në gjykatë“, theksoi Qelaj.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

