Projektligji që synon verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme ka tashmë grupin e vet punues në Kuvend, me Vigan Qorrollin në krye dhe deputetë nga pesë parti. Adnan Rrustemi paralajmëron se aty do të vendosin argumentet, jo votat.

Projektligji për Byronë Shtetërore dhe verifikimin e konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme ka kaluar në fazën e shqyrtimit të detajuar në Kuvendin e Kosovës. Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit miratoi formimin e një grupi punues që do ta trajtojë tekstin.
Në krye të grupit është caktuar Vigan Qorrolli. Përbërja e tij përfshin deputetë nga spektri politik: Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje, Përparim Gruda dhe Blerta Deliu nga Partia Demokratike e Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Albert Kinolli nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës dhe Besnik Tahiri nga Aleanca.
Gjatë diskutimit në komision, deputeti i Vetëvendosjes, Rrustemi, argumentoi se grupet punuese ekzistojnë për të lehtësuar punën e komisionit dhe se nuk duhet të ketë kufizime për deputetët që duan të përfshihen në diskutimet për projektligjin. Ai tha se personalisht synon të marrë pjesë në çdo diskutim dhe mirëpriti përfshirjen e kolegëve të tjerë.
Rrustemi theksoi edhe natyrën e punës në grup: "Keni parasysh që në grupin punues nuk votohet." Sipas tij, nenet e projektligjit trajtohen një nga një, jepen argumente dhe teksti kthehet sërish në komision për vendimmarrje. "Argumenti po, vota jo", e përmblodhi ai.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

