Një projektligj që, sipas shumicës, i sjell buxhetit të Kosovës 55 milionë euro mbeti pa u shqyrtuar. Debati për atë se kush duhej ta prezantonte u kthye në përplasje për Kushtetutën, akuza personale dhe një padi.

Mbledhja e Komisionit për Buxhet në Kuvendin e Kosovës dështoi për mungesë kuorumi, pa arritur te pika kryesore e rendit të ditës: Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit. Mosmarrëveshja nisi nga një pyetje procedurale, kush duhej ta prezantonte projektligjin, pasi ministri përkatës nuk ishte në sallë.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mergim Lushtaku, kërkoi që pika të shtyhej. "Ne kemi pasur praktikë që të kemi vetëm ministrin, nuk është mirë që të ndryshojmë këtë. Përderisa nuk kemi përfaqësues nga ministria, më duket e arsyeshme që të mos mbahet kjo pikë e rendit të ditës", tha ai.
Nga ana e shumicës, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arbërie Nagavci, propozoi që komisioni të votonte nëse projektligjin mund ta prezantonte zëvendësministri ose sekretari i ministrisë, duke e lidhur ngutin me peshën financiare të ligjit. "Ky projektligj ka kaluar në lexim të parë edhe në legjislaturën e kaluar. Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij ligji, mundëson plotësimin e 55 milionë eurove të buxhetit të shtetit. Duke pasur parasysh ligjin, unë ju ftoj kolegë deputetë që të votojmë mundësinë që zëvendësministri, sekretari, të jetë prezent dhe ta prezantojë ligjin", deklaroi Nagavci.
Diskutimi shpejt doli përtej projektligjit. Deputetja e Aleancës (AAK), Teuta Haxhiu, e akuzoi shumicën se po miraton ligje me nxitim dhe se disa prej tyre janë kthyer nga Gjykata Kushtetuese për shkelje procedurale. "Në praktikën e Kuvendit jo shumë ligje kanë rënë nga Gjykata Kushtetuese, po vijmë prapë në pikën se asnjëherë nuk keni bërë ligje si duhet. Po vijmë në një situatë ku shpejt e shpejt po bëhen ligje që pastaj po dërgohen në Kushtetuese. Rruga më e shkurtër shkon te Gjykata Kushtetuese dhe tregon se ju jeni shkelës të mëdhenj të Kushtetutës", tha ajo.
Kryetari i komisionit, Enver Haliti nga Vetëvendosje, e kundërshtoi këtë interpretim. Sipas tij, ligjet në fjalë nuk janë shpallur antikushtetuese, por janë kthyer sepse nuk janë respektuar afatet procedurale. "Janë për shkak të afatit që mes dy leximeve nuk kanë qenë 72 orë", shpjegoi Haliti.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe deputeti i LVV-së, Valon Hoti, i cili bëri dallimin mes shkeljes kushtetuese dhe tejkalimit të procedurës. "Asnjë nga ligjet nuk ka qenë antikushtetues, ka qenë për shkak të kohës së shkurtër që deputetët t’i lexojnë ato ligje. Tjetër gjë është shkelje, tjetër gjë është tejkalim i procedurës", tha Hoti.
Tonet u ashpërsuan kur Haxhiu iu drejtua drejtpërdrejt Nagavcit. "Arbërie Nagavci është shkelëse e Kushtetutës, jeni shkelës numër një të Kushtetutës", tha deputetja e AAK-së.
Nagavci u përgjigj se ka ngritur padi ndaj Haxhiut. "Unë kam bërë padi për të, nuk do të më ndalë, pres që gjykata ta shqyrtojë rastin, tendenca e saj për shpifje do të evidentohet", deklaroi ajo.
Haxhiu, nga ana e saj, qëndroi te pretendimet e mëparshme, duke pohuar se Nagavci ka ndërhyrë në çështje që lidhen me mësimdhënësit dhe trajnimet e tyre, dhe duke përmendur se motra e Nagavcit ka qenë drejtoreshë e organizatës që organizonte trajnimin. Këto pretendime mbeten akuza politike, të cilat Nagavci i cilëson shpifje dhe për të cilat pret vendimin e gjykatës.
Në fund, zëvendësministri u ftua ta prezantonte projektligjin, por ky propozim u kundërshtua nga Lushtaku dhe Haxhiu. Pa kuorumin e nevojshëm, komisioni nuk mundi ta vazhdonte mbledhjen dhe projektligji që, sipas Nagavcit, mundëson plotësimin e 55 milionë eurove në buxhetin e shtetit mbeti i pashqyrtuar.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

