Parlamenti libanez votoi shfuqizimin e dënimit kapital, duke e zëvendësuar atë me burgim të përjetshëm me punë të rëndë. Blloku i Hezbollahut ishte i vetmi që votoi kundër.

Libani u bë vendi i parë në Lindjen e Mesme që heq dënimin me vdekje. Parlamenti i vendit miratoi të martën një ligj që shfuqizon dënimin kapital, duke e zëvendësuar atë me burgim të përjetshëm me punë të rëndë.
Sipas zyrës së kryetarit të parlamentit libanez, ligjvënësit e nënshkruan legjislacionin pasi bënë disa amendamente. Shumica e asamblesë me 128 anëtarë votoi në favor të heqjes së dënimit me vdekje, me përjashtim të bllokut parlamentar të Hezbollahut, i cili ishte i vetmi që votoi kundër.
Ministri i Drejtësisë, Adel Nassar, i cili ishte i pranishëm në parlament, e cilësoi votimin një "hap historik" për vendin.
Ndryshimi vjen pas më shumë se dy dekadash pauze faktike. Libani ka respektuar një moratorium jozyrtar mbi ekzekutimet që nga janari i vitit 2004, por gjykatat kanë vazhduar të shqiptojnë dhjetëra dënime me vdekje. Në fund të vitit 2025, sipas Drejtorisë së Burgjeve pranë Ministrisë së Drejtësisë të Libanit, 85 persona përballeshin me dënime kapitale.
Drejtoresha e Amnesty International për Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore, Heba Morayef, e përshëndeti hapin e Libanit si "një moment i rëndësishëm historik dhe një fitore për të drejtat e njeriut në vend". "Pas më shumë se dy dekadash pa ekzekutime, hapi i sotëm e shndërron një ndërprerje të pasigurt të ekzekutimeve në mbrojtje ligjore të qëndrueshme që ruan të drejtën për jetën dhe e vendos Libanin në linjë me tendencën globale drejt shfuqizimit", tha Morayef.
Mbetet e paqartë sesi do të zbatohet puna e rëndë e detyruar, ndërsa disa ligjvënës thanë se kushtet e dënimit të ri ende nuk janë të përcaktuara. Libani e ka të shkruar në ligj dhe në vendime gjyqësore dënimin me punë të rëndë, por edhe këto rrallë janë zbatuar vitet e fundit, për shkak të mungesës së burimeve dhe kapaciteteve në burgjet e mbipopulluara të vendit.
Shfuqizimi i dënimit me vdekje vjen ndërkohë që parlamenti po debaton edhe një ligj të diskutueshëm për amnisti të përgjithshme — më i madhi që nga fundi i luftës civile 15-vjeçare në vitin 1990 — që mund të ulë dënimet apo edhe të lirojë disa persona të dënuar për vepra dhune.
Familjarë të ushtarëve dhe të pjesëtarëve të forcave libaneze të vrarë në sulme kanë protestuar në mënyrë të përsëritur kundër ligjit të amnistisë, ku disa thanë se kishin shpresuar t'i shihnin autorët të ekzekutuar, në vend që të përfitonin dënime të reduktuara me burg.
Gurë kalldrëmi të shkulur nga Parku Rinia, gaz lotsjellës dhe mbi 100 të arrestuar: protestat kundër qeverisë në Shqipëri hynë në ditën e shtatë pa asnjë shenjë qetësimi. Kryeministri Rama i quan pjesë të një sulmi të koordinuar, ndërsa protestuesit fajësojnë policinë për dhunën.

