Zarfe me një substancë të panjohur kanë mbërritur në zyra zgjedhore dhe në Senatin amerikan, duke detyruar evakuime në Luiziana dhe Oklahoma, vetëm tri javë para ditës së zgjedhjeve. Autorët ende nuk janë identifikuar.

Zyrat zgjedhore në të paktën dy shtete amerikane, Luiziana dhe Oklahoma, u evakuuan këtë javë pasi në to mbërritën pako me një substancë pluhuri. Rastet janë pjesë e një serie më të gjerë letrash të dyshimta, të nisura drejt zyrave të Kongresit dhe atyre zgjedhore në mbarë Shtetet e Bashkuara, të cilat tani po i heton FBI.
Në hetim janë përfshirë edhe Shërbimi i Inspektimit Postar dhe Policia e Kapitolit. Autoritetet federale u kërkojnë marrësve t'i trajtojnë dërgesat si "potencialisht të rrezikshme".
Rreziku u bë i ditur fillimisht të enjten, përmes një njoftimi të përgjegjësit për rendin dhe sigurinë në Senat, drejtuar zyrave të senatorëve. Sipas njoftimit, organet e zbatimit të ligjit po punojnë për të kapur çdo letër tjetër para se të shpërndahet, por "është e mundur që disa letra të arrijnë në destinacion". Një nga zarfet e dyshimta, i treguar në një mesazh për shefat e kabineteve, menaxherët administrativë dhe drejtorët shtetërorë, kishte si adresë dërguesi qytetin e Nju Jorkut.
Në Kongres, kërcënimi duket se ka prekur vetëm Senatin, ndërsa Dhoma e Përfaqësuesve po e ndjek situatën, sipas një personi të njohur me çështjen, i cili nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht për hetimin.
Në një deklaratë, FBI tha se bashkë me Shërbimin e Inspektimit Postar po heton "një seri dërgesash të dyshimta të nisura në adresa të ndryshme në mbarë vendin, përfshirë zyrat e sekretarëve të shtetit dhe zyrat e tyre përkatëse zgjedhore". Byroja shtoi: "Disa nga letrat përmbanin një substancë të panjohur dhe po punojmë ngushtë me partnerët tanë të zbatimit të ligjit për t'iu përgjigjur çdo incidenti. Po punojmë gjithashtu me partnerët tanë për të identifikuar individin ose individët përgjegjës për letrat." Natyra e substancës nuk është bërë ende publike.
Në Ohajo, zyra e sekretarit të shtetit bëri të ditur se Shërbimi Postar kapi një pako me pluhur të bardhë që i drejtohej asaj, duke theksuar se dërgesa të ngjashme u ishin nisur zyrtarëve zgjedhorë në disa shtete.
Zëvendësinspektori postar Brendan Donahue u tha gazetarëve të enjten se "çdo kërcënim apo sulm ndaj zyrtarëve zgjedhorë është i papranueshëm" dhe se autoritetet po punojnë me partnerët për identifikimin e personit ose personave që qëndrojnë pas letrave.
Shoqata Kombëtare e Sekretarëve të Shtetit dhe Shoqata Kombëtare e Drejtorëve Shtetërorë të Zgjedhjeve dënuan në një deklaratë të përbashkët ato që i cilësuan kërcënime ndaj stafit zgjedhor. "Ata që administrojnë zgjedhjet tona nuk duhet të kenë kurrë frikë për sigurinë e tyre ndërsa kryejnë detyrat e tyre thelbësore", thuhet në deklaratë.
Skenari nuk është i ri. Në vitin 2023, zyrat zgjedhore në gjashtë shtete morën dërgesa me pluhur të bardhë, të cilat në disa raste ndërprenë punën rreth zgjedhjeve lokale. Disa nga ato letra përmbanin kërcënime dhe gjurmë të fentanilit, një opioidi të fuqishëm, gjë që i shtyu disa zyra zgjedhore të furnizoheshin me nalokson, ilaçin që kundërvepron ndaj mbidozës.
Këtë herë, letrat mbërrijnë vetëm tri javë para ditës së zgjedhjeve, në një kohë kur zyrat zgjedhore janë në kulmin e punës.
Gurë kalldrëmi të shkulur nga Parku Rinia, gaz lotsjellës dhe mbi 100 të arrestuar: protestat kundër qeverisë në Shqipëri hynë në ditën e shtatë pa asnjë shenjë qetësimi. Kryeministri Rama i quan pjesë të një sulmi të koordinuar, ndërsa protestuesit fajësojnë policinë për dhunën.

