Letërnjoftimi dhe patenta e shoferit do të mund të mbahen në telefon, përmes një aplikacioni falas që qeveria në Shkup premton ta vërë në përdorim së shpejti. Dokumentet fizike nuk do të hiqen.

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut së shpejti do të mund ta kenë letërnjoftimin dhe patentën e shoferit në ekranin e telefonit. Zëdhënësja e Qeverisë, Venera Latifi Azizi, njoftoi nisjen e aplikacionit mobil m.Shërbime, ndonëse data e saktë e lansimit nuk është bërë ende e ditur.
"Letërnjoftimin dhe patentën e shoferit po i sjellim në formë të digjitalizuar", deklaroi Azizi. Në versionin e parë, përveç dy dokumenteve personale në formë elektronike, aplikacioni do të ofrojë edhe tri shërbime elektronike.
Shkarkimi nuk do të ketë kosto. "Aplikacioni do të jetë falas dhe do të mund të shkarkohet përmes Google Play dhe App Store. Qytetarët do të mund të kyçen duke përdorur llogarinë e tyre në portalin kombëtar për shërbime elektronike, uslugi.gov.mk", shpjegoi zëdhënësja.
Azizi theksoi se askush nuk do të detyrohet ta përdorë: "Përdorimi i aplikacionit do të jetë vullnetar, ndërsa dokumentet fizike do të vazhdojnë të jenë në përdorim. Aplikacioni do të shërbejë si një mundësi shtesë dhe praktike për qasje në dokumentet personale".
Sipas saj, projekti hyn në përpjekjet e Qeverisë për të modernizuar shërbimet publike dhe për ta bërë komunikimin mes qytetarëve dhe institucioneve më të lehtë, më të shpejtë dhe më efikas. Synimi i deklaruar është që shërbimet digjitale të bëhen më të qasshme dhe të përafrohen me standardet evropiane, duke përshpejtuar njëkohësisht proceset administrative.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

