Një nga zërat më të fortë të Kosovës në Kongresin amerikan i kërkon Kryeministrit Kurti të kthejë të gjitha partitë në negociata. Paralajmërimi është i qartë: pa president, vendi rrezikon zgjedhjet e katërta parlamentare në më pak se dy vjet.

Kongresisti amerikan Michael Lawler i ka dërguar një letër Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, me një kërkesë të drejtpërdrejtë: të gjithë aktorët politikë të kthehen në negociata dhe të gjejnë konsensus për zgjedhjen e presidentit, në mënyrë që vendi të mos shkojë sërish në zgjedhje.
Lawler është anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së dhe kryeson Nënkomisionin për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut. Ai njihet si një prej avokuesve më të zëshëm të Kosovës në Kongresin amerikan.
Në letër, kongresisti e lidh thirrjen për unitet me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë, të shpallur më 16 shtator. "Posaçërisht në dritë të aktgjykimit të javës së kaluar në Hagë, nuk ka moment më të rëndësishëm për unitetin kombëtar të Kosovës sesa tani. Ju bëj thirrje që të punoni për t’u siguruar që të gjithë aktorët politikë të kthehen në negociata me mirëbesim dhe të gjejnë konsensusin e nevojshëm për të zgjedhur presidentin", shkruan Lawler.
Ai e uron Kurtin për mandatin e katërt në krye të Qeverisë, por njëkohësisht vë theksin te stabiliteti institucional, të cilin e sheh si kusht që vendi të përqendrohet te prioritetet kryesore, përfshirë thellimin e partneritetit të ngushtë me Shtetet e Bashkuara.
Kongresisti ritheksoi edhe mbështetjen e plotë për anëtarësimin e Kosovës në NATO, duke e cilësuar atë si hap që "një hap i tillë do të ishte vendimtar jo vetëm për sigurinë afatgjate të Kosovës, por edhe për ruajtjen e paqes në mbarë Ballkanin Perëndimor".
Letra mbyllet me një paralajmërim të qartë për kalendarin politik: "Pjesërisht si rezultat i punës suaj drejt anëtarësimit në NATO, unë shoh se Kosova është në rrugën e duhur për t’u bërë një demokraci e fortë, me rritje solide ekonomike dhe prosperitet të përbashkët. Stabiliteti qeveritar është çelësi. Andaj, shpresoj që vendi juaj të jetë i suksesshëm në zgjedhjen e presidentit të ri në javët në vijim, për të parandaluar një raund të ri zgjedhjesh parlamentare - për herë të katërt në më pak se dy vjet".
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

