Institucioni që u kërkon llogari të tjerëve kërkon tani të kontrollohet vetë. Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, i ka kërkuar Auditores së Përgjithshme që prokurimi, mirëmbajtja dhe teknologjia e informacionit në Kuvend të futen në programin e auditimit.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, i ka drejtuar një kërkesë Auditores së Përgjithshme, Vlora Spanca: Kuvendi të përfshihet në programin e auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA). Kërkesa nuk mbetet e përgjithshme. Ajo emërton tri fusha ku Haxhiu dëshiron që auditorët të hyjnë: prokurimin, mirëmbajtjen dhe teknologjinë e informacionit.
Në shkresën e saj, Haxhiu e lidh kërkesën drejtpërdrejt me rolin mbikëqyrës që vetë Kuvendi ushtron mbi institucionet e tjera: "Duke e çmuar lartë rolin e Zyrës Kombëtare të Auditimit në mbikëqyrjen e shpenzimit të parasë publike dhe në frymën e transparencës dhe llogaridhënies që Kuvendi kërkon nga institucionet e tjera, ju drejtohem me kërkesën që në programin tuaj të auditimit të përfshihet edhe vetë Kuvendi përfshirë, ndër të tjera fushat e prokurimit, mirëmbajtjes dhe teknologjisë së informacionit".
Kryetarja e Kuvendit ka theksuar se respektohet plotësisht pavarësia e ZKA-së, si dhe vendimi i saj për programin, fushëveprimin dhe afatet e auditimit. Me fjalë të tjera, nëse dhe kur do të nisë kontrolli mbetet në dorë të auditorëve. Nga ana e Kuvendit, Haxhiu premton qasje të plotë: "Kjo kërkesë shpreh gatishmërinë tonë për t’u nënshtruar kontrollit të jashtëm dhe angazhimin për bashkëpunim të plotë, përfshirë qasje në dokumente dhe informata të nevojshme".
Auditori i Përgjithshëm është institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik dhe financiar në Kosovë. Ai i raporton pikërisht Kuvendit dhe ka të drejtë të kontrollojë të gjitha aktivitetet, programet dhe projektet financiare, administrative e të tjera që menaxhohen nga institucionet publike, përfshirë procesin dhe të ardhurat nga shitja e aseteve, privatizimet dhe koncesionet.
Kuvendi nuk do të ishte territor i ri për auditorët: ZKA ka kryer auditime në këtë institucion edhe në të kaluarën.
Siguria në Kosovë ka mbetur stabile, por bllokada institucionale vazhdon dhe Marrëveshja e Brukselit ecën me hapa të vegjël. Kjo është pasqyra që Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të shqyrtojë të martën në mbrëmje.

